Dy pilotë humbin jetën pasi Phantom F-4 rrëzohet në Greqi

Një tragjedi ka tronditur shfaqjen ajrore “Athens Flying Week 2026” në Greqi, pasi një aeroplan luftarak Phantom F-4 me dy vende u rrëzua në bazën ajrore të Tanagrës, duke shkaktuar vdekjen e të dy pilotëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një demonstrimi ajror, përpara mijëra spektatorëve. Rrethanat e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e rrëzimit, transmeton Telegrafi.
Sipas informacioneve të raportuara nga ERT, aeroplani nisi papritur të humbte lartësi gjatë manovrës dhe më pas u përplas me tokën. Menjëherë pas goditjes, avioni shpërtheu, duke shkaktuar edhe një zjarr të madh në zonën përreth.
Për shkak të flakëve, zjarri u përhap edhe në zonën pyjore pranë bazës ajrore. Në operacionin për shuarjen e tij u angazhuan rreth 115 zjarrfikës, 36 automjete dhe tre ekipe tokësore, ndërsa në mënyrë periodike u përdorën edhe nëntë aeroplanë dhe katër helikopterë, njëri prej të cilëve koordinonte operacionin ajror.
Gjatë pasdites, autoritetet përdorën sistemin e emergjencave 112 për të paralajmëruar banorët e zonës për rrezikun nga zjarri. Më vonë, situata u raportua si e përmirësuar.
Ndërkohë, për shkak të zjarrit, policia mbylli përkohësisht rrugën shërbyese pranë autostradës kombëtare Athinë–Lamia, si dhe rrugën provinciale në zonën e Oinout.
Shfaqja Athens Flying Week, e zhvilluar më 5 dhe 6 shtator, është një nga aktivitetet më të mëdha ajrore në Evropën Juglindore. Programi përfshin fluturime në formacion, manovra me shkallë të lartë vështirësie dhe hedhje me parashutë.
Pas aksidentit tragjik, organizatorët anuluan aktivitetet e mbetura të fundjavës. Ndërkohë, ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, ndërpreu angazhimet e tij në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut dhe u nis drejt Athinës.
Rrëzimi i Phantom F-4, përpara mijëra spektatorëve, e ktheu një nga eventet më të rëndësishme ajrore të Greqisë në një skenë tragjedie, ndërsa autoritetet vijojnë të hetojnë shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të aeroplanit. /Telegrafi/



































