Greqia po përballet me një përhapje të fortë të virusit të Nilit Perëndimor, me 290 raste të konfirmuara që nga fillimi i sezonit të transmetimit.

Sipas raportit të fundit të autoriteteve shëndetësore greke, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 58 raste të reja.


Nga 290 të infektuarit, 199 kanë shfaqur simptoma neurologjike, përfshirë encefalitin dhe meningjitin.

Deri më 2 shtator janë regjistruar 24 vdekje, të gjitha te persona mbi 65 vjeç. Aktualisht, 63 pacientë janë të shtruar në spitale, prej tyre 32 në kujdes intensiv.

Rajoni i Atikës është më i prekuri, me rreth 166 raste, ndërsa Thesalia dhe Maqedonia Qendrore kanë nga 52 raste secila. Autoritetet presin raste të reja edhe në javët në vijim.

Ndërkohë, në Qipro janë konfirmuar katër raste, ndërsa dy të tjera janë ende nën hetim.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht duke eliminuar ujin e ndenjur ku mund të shumohen mushkonjat dhe duke përdorur rrjeta në dritare.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.