Momente ankthi kanë kaluar 33 pasagjerë të një avioni që ishte nisur nga ishulli grek i Rodosit drejt Karpathosit.

Avioni ATR 42 i kompanisë Olympic Air, pjesë e grupit AEGEAN, u detyrua të kthehej në aeroportin “Diagoras” të Rodosit vetëm pak minuta pas ngritjes, për shkak të një problemi në njërin prej dy motorëve.




Sipas mediave lokale, gjatë fluturimit nga motori u pa të dilte tym dhe raportohet se për disa çaste u shfaqën edhe flakë.

Piloti reagoi menjëherë dhe vendosi të kthehej në Rodos.

Raportohet se motori me problem u çaktivizua dhe avioni vazhdoi fluturimin me motorin tjetër, duke u ulur pa probleme.

Në aeroport ndërkohë ishte dhënë alarmi.

Zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës u vendosën pranë pistës, por ndërhyrja e tyre nuk ishte e nevojshme.

Të 33 pasagjerët dhe tre anëtarët e ekuipazhit zbritën të sigurt dhe nuk u raportua asnjë i lënduar