LAJMI I FUNDIT:

Dy bij, dy rrëfime për dy dashuri

Dy bij, dy rrëfime për dy dashuri
Gabriel Garcia Marquez (1927-2014) (në mes) dhe dy djemtë e tij - Gonzalo Garcia Barcha (majtas) dhe regjisori Rodrigo Garcia Barcha (Foto: Steve Pyke/Getty Images, 2007)

Nga: Andreas Dushi

Kur lexojmë Jeto për ta treguar, episodet “magjike” të 100 vjet vetmi marrin një tjetër trajtë, pasi vëmë re se janë momente e incidente të jetuara nga vetë Gabo, shndërruar më pas në letërsi. Por jo vetëm 100 vjet vetmi është magjik nga letërsia e Márquez-it: Gjithçka ai shkroi, krijon te lexuesi përjtimin e magjishëm të një lloj kënaqësie që rrallëherë letërsia ta jep, përfshirë këtu edhe Dashuria në kohërat e kolerës, sidomos Dashuria në kohërat e kolerës.


Vetë Márquez-i, pasi tregon se si ishin njohur prindërit e tij, thotë se Historia e këtyre dashurive të kundërshtuara përbënte një çudi për mua kur isha i ri. Ngaqë e kisha dëgjuar sa e sa herë nga goja e prindërve, nga të dy së bashku ose veç e veç, e dija thuajse të plotë kur shkrova “Gjethurinat”, romanin tim të parë, në moshën njëzet e shtatë vjeç, po gjithashtu isha i ndërgjegjshëm se më mbetej shumë për të mësuar në artin e të shkruarit. Që të dy ishin rrëfyes të shkëlqyer, me kujtimin e lumtur të dashurisë, porse arritën të apasionoheshin aq shumë në rrëfimet e tyre saqë, kur më së fundi, pasi i kisha kaluar të pesëdhjetat, vendosa ta përdorja te “Dashuria në kohërat e kolerës”, nuk i dalloja dot kufijtë ndarës midis jetës dhe poezisë.[1]

Një ndër romanet më ikonikë jo veç të Márquez-it, por të gjithë letërsisë botërore, është shkruar duke metamorfizuar lëndën reale të dashurisë së pridërve të tij në lëndë letrare të një dashurie që vijon të tërheqë lexues edhe dekada pas botimit të parë.

Ndërsa tani është djali i Márquez-it, Rodrigo Garcia ai që merret me dashurinë e prindërve të tij, por jo ashtu sikurse bën i ati. Ai nuk provon ta kalojë në poçari krijuese jetën dhe dashurinë e Gabo-s dhe Mercedes-it, por përkundrazi, e tregon ashtu sikurse ishte, pa asnjë kompleks gjykimi a paragjykimi, kjo e ardhur ndoshta edhe për hir të lirshmërisë së Gabriel Garcia Márquez-it sa herë fliste dhe tregonte për veten.

Janë ditët e tij të mbrame, kur fillon të bëhet i vetëdijshëm se jetës po i vjen fundi. Te kujtimet e tija, shkruan: Gjer në moshën pesë vjeç, vdekja kishte qenë për mua një fund i natyrshëm që u ndodhte të tjerëve. Kënaqësitë e qiellit dhe mundimet e ferrit më dukeshin thjesht mësime për t’u nxënë përmendsh në katekizmin e padre Astetes. Ato s’kishin të bënin fare me mua…[2] Po tani, kur vdekja, si fundi më i natyrshëm i tij është kaq pranë?

Si shumë shkrimtarë, edhe ai është i fiksuar pas humbjes dhe vdekjes, shfaqjes më të madhe të saj. Vdekja si rregullsi dhe parregullsi, si e logjikshme dhe e pakuptimtë, si e pashmangshme dhe e papranueshme.[3]

Kujtimet e tij në trajtë autobiografie, Márquez-i i konceptoi si një triologji; si një rrëfim i gjithë formimit të tij si shkrimtar dhe si njeri. Pjesa e parë mbaron pikërisht në kohën kur u martua me Merceds-in, gruan që do ta shoqëronte përgjatë gjithë jetës. Nuk i mbaroi, dhe fillin ku kjo dëshirë e tija u këput, e shtrëngon fort Rodrigo. Ai tregon se si, për shembull, një pasdite të vitit 1966 në Qytetin e Meksikos shkoi në dhomën ku mamaja po lexonte në shtrat dhe e njoftoi se posa kishte mbaruar së shkruari për vdekjen e kolonelit Aureliano Buendia.

“E vrava kolonelin”, – i tha i tronditur.

Ajo e dinte se sa i rëndësishëm ishte ai për të dhe të dy qëndruan në heshtje me lajmin e trishtuar.[4]

Pra, Rodrigo na jep kështu pasqyrimin e Márquez-it në sytë e Mercedes-it dhe jetën e këtyre syve pasi prej tyre rrodhën lotët e vdekjes së të shoqit.

***

Kemi përballë dy histori dashurie. Njëra, e treguar me mjeshtëri të rrallë nga një bir shkrimtar, duke krijuar një ndër metaforat më të bukura të dashurisë ndërsa tjetra, treguar me sinqeritet të rrallë nga biri i shkrimtarit, duke treguar një ndër realitetet më të bukura të dashurisë. /Gazeta “ExLibris”/

_____________________

[1]  “Jeto për ta treguar”, Gabriel García Márquez, “Onufri”, fq. 54 – 55.
[2]  Po aty, fq. 157.
[3]  “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, Rodrigo Garcia, “Onufri”, fq. 40.
[4]  Po aty, fq. 63.