LAJMI I FUNDIT:

A duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut?

A duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut?

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është hapur debati për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me të cilin parashihet ndryshimi i njësive zgjedhore nga gjashtë sa janë aktualisht në një njësi zgjedhore.

Kjo iniciativë është marrë nga partitë e vogla parlamentare e që mbështetet edhe nga LSDM-ja e kryeministrit, Zoran Zaev. Nisma synon që zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parapara më 12 prill 2020 të mbahen me modelin e ri zgjedhor. Kjo do të forconte demokracinë, thonë propozuesit, sepse do t’u mundësonte përfaqësim në institucionin ligjvënës edhe partive të vogla parlamentare, në veçanti partitë e pakicave, të cilat për t’u përfaqësuar në Kuvend gjithmonë kanë bërë koalicione parazgjedhore me dy partitë e mëdha LSDM dhe OBRM-PDUKM.


BDI dhe OBRM-PDUKM kundër ndryshimit të Kodit Zgjedhor

Por dy partitë, BDI-ja në pushtet dhe OBRM-PDUKM-ja në opozitë, në komisionin parlamentar për sistem politik kanë dorëzuar afër gjashtëmijë amendamente, për të bllokuar ndryshimet që janë iniciuar nga partitë e vogla parlamentare. Paraqitja e një numri kaq të madh amendamentesh nënkupton edhe bllokimin e nismës dhe këtë e pranon edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për sistem politik Aleksandar Kiracovski.

“Mund të them se kjo formë e paraqitjes së një numri kaq të madh të amendamenteve gjithmonë shfrytëzohet kur kanë për qëllim bllokimin e një procedure ligjore në Kuvend. Duke marrë parasysh numrin e madh të amendamenteve gjasat janë të vogla që ky propozim të miratohet”, ka deklaruar Kiracovski. Ai ditë më parë paralajmëroi debat publik për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me qëllim që të tërhiqen afër 6 mijë amendamente të dorëzuara nga BDI dhe OBRM-PDUKM. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Xhaferi tha se rregullorja e parlamentit nuk parashikon debat publik për një ligj të propozuar me procedurë të shkurtuar.

“Nëse një projektligj është në procedurë të shkurtuar, cili është kuptimi i stërzgjatjes së debatit eventual publik ? Procedurat dhe praktikat parlamentare i kanë paraparë këto rregulla dhe nuk mund të lejohet vullnet i këtillë i kryetarit të komisionit, kur t’i kujtohet një çështje ai të vlerësojë në mënyrë individuale”, thotë Xhaferri.

Nga OBRM-PDUKM-ja thonë se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga amendamentet, sepse kjo është mënyra e vetme për të penguar ndryshimet për të cilat siç thonë, nevojitet debat i gjerë dhe konsensus nga të gjitha partitë e mëdha. OBRM-PDUKM-ja nuk do të tërhiqet pasi konsiderojmë, se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk mund të miratohen pa një mbështetje të gjerë apo pa pëlqimin edhe të partive të mëdha politike”, ka deklaruar Nikolla Micovski nga OBRM-PDUKM-ja.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kundërshtimin e nismës për ndryshimin e njësive zgjedhore e kanë arsyetuar me pretendimin se me një model të ri me një njësi zgjedhore shqiptarët do të humbnin mandate deputetësh në Kuvend.

“Debati për ndryshim të Kodit Zgjedhor duhet të ishte hapur shumë më herët dhe se tani tashmë është vonë. Nuk mund të bëhet ndryshim i Modelit Zgjedhor pa konsensus, pa përgatitur qytetarët. Vendimi i duhur është që në këtë zgjedhje të shkohet me gjashtë njësi zgjedhore dhe më pas të hapet debat”, vlerëson Bujar Osmani zv. kryeministër për Çështje Evropiane.

Deralla: Kodi Zgjedhor nuk mund të ndryshohet në prag të zgjedhjeve

OJQ “Civil” konsideron se nisma për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore për një afat të shkurtër kohor nuk është ide e rekomandueshme. Standardet ndërkombëtare thonë se Kodi Zgjedhor nuk duhet ndryshuar gjashtë muaj para zgjedhjeve.

“Nuk mund të ndryshosh modelin zgjedhor më pak se gjashtë muaj para zgjedhjeve, në situatën kur kemi kod të keq zgjedhor. Janë listat zgjedhore, të cilave qytetarët nuk u besojnë dhe në këtë mënyrë shkelen të drejtat e qytetarëve. Konsideroj se kjo nismë është skajshmërisht joserioze”, u shpreh kryetari i OJQ-së “Civil” Xhabir Deralla. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka 120 deputetë, të cilët sipas modelit aktual zgjidhen në gjashtë njësi zgjedhore./DW/