LAJMI I FUNDIT:

Duaje armikun e brendshëm!

Duaje armikun e brendshëm!

Sot askush nuk e konteston më hutinë tonë kolektive. Dikush madje, duke u shërbyer me metaforat, përmend patat edhe mjegullën. Apo, me folë me gjuhë lokale – shotat. Shotat në mjegull sot janë metaforë politike. Sidoqoftë, debati ka të bëje veç me arsyet. Gjithsecili nxjerr arsye nga më të ndryshme, por unë kam argumentet e mija dhe mbetem kokëfortë pranë tyre. Kokëfortë jemi të gjithë edhe kur themi nuk di. Nuk dimë si është, por të gjithë e dimë si nuk është. Nuk është ashtu. Po si është?

Puna është se kemi mbetur pa armikun e jashtëm. Thjesht, s’ka më armiq kolektivë; askush nuk na rrezikon; askush nuk synon të na shfarosë e rrjedhimisht; nuk ka as nevojë as për trima që e lëshojnë kushtrimin.


Armiqtë tanë janë armiqtë e Amerikës dhe të Evropës. Amerika nuk ka armiq, në parim. Ka vetëm interesa, kështu që ne i kemi lidhur interesat tona afatgjata me të dhe armiqtë kur duan të luftojnë me ne është zgjedhje e tyre e jo e jona.

Kur është fjala te Evropa, prapë mjegull. Armiqtë e Evropës nuk janë tanët, sepse Evropa nuk i ka të qartë armiqtë. Jo se nuk ka, por edhe kjo çështje vendoset me konsensus. Interesat janë të ngatërruara, prandaj edhe puna e armiqve mbetet e paqartë. Ende pesë shtete evropiane na mbajnë të hutuar.

Kjo te ne është manifestuar me emra të fëmijëve nga më të ndryshmit. As fëmijët e gjeneratës më të re, “prodhim” i viteve të fundit, nuk marrin më emrat Kushtrim, as Heroinë, as… hiç bre. As Vlora, Milot, Luftëtar…! As Veteran. As Berat më nuk i vë kush fëmijës emrin. Kjo s’ka të bëjë gjithsesi me arsye lokale. Madje As Gadaf apo Sadat më nuk u vë emra fëmijëve të vegjël dhe krejtësisht të pafajshëm. Identiteti është turbulluar sikur ujërat… tona. Brenda një familjeje ka po ashtu… arsye dhe interesa.

Nejse, sot e kemi me partitë politike dhe fushatën. Më nuk u mjafton as PDK, as vijat e kuqe me të, për t’u formësuar. Nuk ka aspak probleme me partitë tjera. Partitë nuk kanë telashe me armikun e jashtëm. E kemi parë se prej një partie në një parti kalohet me lehtësinë me të cilën profesionistët ndërrojnë klubet apo shtratin. Punë interesi. Ata, posa të largohen, bëhen pjesë e identitetit dhe tabelë qitjeje.

Kur përmenden vijat e kuqe, e gjithë kjo më tepër tingëllon si joshje, si premtim i fshehtë sesa si refuzim. E keni parasysh atë thënien e famshme që na udhëzon se si të kuptojmë një refuzim nga një femër?

Kur thonë herën e parë jo, mos u dëshpëroni, kjo e ka kuptimin e ndoshta…! Nuk është refuzim. Kur thonë jo, jo edhe jo, madje pa i pyetur fare, atëherë ajo padyshim është gjithnjë e interesuar për ju. Ju ka ndër mend, ditë e natë – siç e thotë kënga.

Rri e rri e secili përmend pjesën e shkëputur. Apo pjesën e mbetur. Pjesa e shkëputur ka marrë kuptimin e armikut të brendshëm. E, kush nuk e ka armikun e brendshëm sot, në kohën kur kemi mbetur pa armikun e jashtëm? Ai që nuk e ka, nuk ka as identitet të fuqishëm.

Të kuptohemi, edhe pse dolën jashtë, ata mbetën të brendshëm. Pra, mbeten pikë referimi dhe diferencimi duke rindërtuar kështu identitetin e vet, përmes tyre. Edhe ata që ikin kanë aq problem me e gjete rrobën e re identitare, ngjyrat e veta, të reja. E vetmja formë e shprehjes u ka mbetur djegia publike e rrobave të vjetra. Për të marrë vëmendjen, nuk mjaftojnë idetë, as mendimet e shprehura me agresivitet, por duhet gjithsesi të kërcas edhe grushti. Kështu është shprehur strategjia fituese e intelektualëve me muskuj.

Një parti tjetër po ashtu në zgjedhjet e kaluara dështoi për shkak të luftës së brendshme. Humbi edhe bastionet, gjë që solli aq shumë rënie, sa në fund mbetën vetëm mekanizmat e shtrënguar për luftë kundër armikut të brendshëm, diferencimit këmbëngulës, të mbuluar, me reformat. Tash këta mekanizma efektivë janë duke u përdorur kundër një armiku të ri, të brendshëm po ashtu, i cili në fakt është armik (ndër)kombëtar.

Armik i brendshëm është shpallur korrupsioni. Prandaj, askush nga partitë tjera nuk po përzihet në këtë luftë. E kanë pranuar si luftë të brendshme. Në fakt, e gjithë kjo ka kuptim dhe duhet pranuar si dëshirë për ndryshim të brendshëm. Nëse mundet armiku i brendshëm në këtë parti, kjo do të sjell çlirim edhe për të gjithë vendin. Në dekadën e vjetër korrupsioni u krijua nga kjo parti dhe dekada e re mbase e ka kuptimin e ndryshimit.

Një parti tjetër armikun e brendshëm (i cili gjithnjë është në bashkëpunim me atë të jashtëm) e mundi me një dredhi klasike. E mori një armik të brendshëm, të shefit, krejtësisht të pafuqishëm dhe e bëri udhëheqës fushate. Kjo e mbylli luftën e brendshme, së paku deri pas zgjedhjeve. Shefi mbeti shef, të gjithë mbetën në vend të vet. A do të fuqizoj kjo partinë, apo do ta sjell luftën e brendshme te kutitë, mbetet të shihet. Sidoqoftë, slogani i pashprehur, dhe mbase fitues, tingëllon gati biblik: Duaje armikun e brendshëm!

Nuk e kemi lehtë! Vështirë jetohet pa armikun e jashtëm. Do të na duhet kohë të mësohemi me vetveten dhe me armikun e brendshëm. Duaje armikun e brendshëm! Trajtoje si vetveten!