Drejtori i Bayernit i qartë: Olise është i paprekshëm, me Neuerin do të flasim për të vazhduar kontratën

Drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, ka shuar çdo spekulim rreth të ardhmes së Michael Olise, duke theksuar se anësori francez nuk është në shitje pas një sezoni mbresëlënës.
Në një deklaratë për ZDF, Eberl ishte kategorik: “Michael Olise është absolutisht i paprekshëm.”
Ai e përforcoi më tej qëndrimin e klubit se francezi është i paprekshëm.
“Nuk ka asnjë shans. Nuk e kemi menduar as për një sekondë. Për ne, nuk ekziston si opsion shitja e Olises", tha Eberl.
22-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të sezonit për Bayernin, duke kontribuar me 19 gola dhe 29 asistime në të gjitha garat, çka e ka bërë një figurë kyçe në repartin ofensiv të skuadrës.

Ndërkohë, Eberl foli edhe për të ardhmen e kapitenit Manuel Neuer, duke lënë të hapur mundësinë e rinovimit të kontratës së tij.
“Ai është një legjendë. Do të ulemi dhe do të flasim me qetësi. Nëse Manuel ndihet gati, nuk shoh arsye pse të mos vazhdojë edhe për një vit tjetër,” u shpreh Eberl.
Bayerni synon të ruajë stabilitetin në skuadër, duke mbajtur lojtarët kyç dhe duke vendosur me kujdes për të ardhmen e veteranëve. /Telegrafi/




















































