LAJMI I FUNDIT:

Drejtori i AKI-së nuk shkon në Komision, deputetët e quajnë shkelje të ligjit

Drejtori i AKI-së nuk shkon në Komision, deputetët e quajnë shkelje të ligjit

Deputetët, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë anuluar mbledhjen e sotme, pasi drejtori i AKI-së, Driton Gashi pak minuta para se të fillojë takimi ka njoftuar se nuk do të jetë prezent në mbledhjen e Komisionit.

Veprimin e drejtorit të AKI-së, kryetarja e Komisionit, Donika Kadaj-Bujupi e ka quajtur joligjor, pasi që siç tha ajo raportimi i drejtorit të AKI-së parashihet me ligj dhe me Kushtetutë.


“Ishte një veprim joligjor nga ana e drejtorit të AKI—së, i cili vetëm tre minuta para fillimit të Komisionit na njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin njohës, i cili parashihet me Kushtetutë dhe me ligj. Ky veprim është neglizhencë dhe mos respektim i Kuvendit, por çka është edhe më shqetësuese është mos respektimi i ligjit. Prandaj, ne do ta thërrasim përsëri në raportim ashtu siç parashihet me ligj, mirëpo kjo nuk është shenjë e mirë dhe nuk është fillim i mbarë për një institucion i cili ka rëndësi të veçantë për shtetin tonë. Dhe për një Komision i cili tejkalon dallimet e ngushta politike dhe partiake është shumë profesional dhe në të cilin sipas ligjit dhe kushtetues, zyrtarët e lartë të AKI-së, obligohen që të raportojnë në baza të rregullta”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se nga AKI-ja, sot kishin ardhur në Komision, zëvendësdrejtori dhe inspektori gjë që sipas saj ky ka qenë takim i parë.

“Ishte zëvendësi dhe inspektori. Mirëpo ne e kemi ftuar në këtë takim dhe është konfirmuar ashtu siç parashihet edhe me ligj që të jetë drejtori i AKI-së, i cili siç e thashë vetëm 3 minuta para mbajtjes së takimit na njoftoi se nuk do të marrë pjesë.  Komisioni parlamentar është i obliguar me ligj dhe me rregullore të Kuvendit dhe Kushtetutë që të mbikëqyre punën e AKI-së dhe ky takim ishte takimi i parë në vazhdën e angazhimeve tona dhe realizimit të mandatit tonë kushtetues me qëllim që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me Agjencinë”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se sot drejtori i AKI-së nuk ka dhënë ndonjë arsye për mungesën tij në takim, por siç tha ajo do ta thërrasin sërish në raportim.