LAJMI I FUNDIT:

Draft-Strategjia e Sigurisë: “Serbia, rreziku kryesor”

Draft-Strategjia e Sigurisë: “Serbia, rreziku kryesor”

Kuvendi i Kosovës më 4 gusht shqyrton Draft-Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës 2022-2027.

Kjo strategji, e cila është miratuar nga Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të mërkurën e 27 korrikut, e identifikon si sfidë kryesore për sigurinë e vendit “pretendimin territorial të Serbisë ndaj Kosovës”, thotë Enver Dugolli, zëvendëskryetar i parë i këtij komisioni.


Sipas tij, rreziku nga Serbia përmendet për herë të parë në mënyrë eksplicite në një dokument të tillë.

Draft-Strategjia kaloi në Komision me votat e pesë anëtarëve të pranishëm nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet; dy nga partitë opozitare votuan kundër, ndërsa një abstenoi.

Ajo është hartuar nga Këshilli për Siguri i Kosovës dhe ka kaluar tashmë për procedim në Kuvendin e Kosovës.

Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për REL se Draft-Strategjia e Sigurisë është një dokument që përfshin të gjitha aspektet e sfidave të sigurisë në Kosovë.

“…sidomos të rreziqeve që burojnë nga shteti fqinj, Serbia. Në këtë strategji identifikohet saktë rreziku kryesor që i kanoset shtetit. Për mendimin tim, kjo është një pikë shumë reale dhe e studiuar mirë”, thotë Dugolli.

Për adresimin e rreziqeve të identifikuara, që përfshijnë edhe ndryshimet klimatike, katastrofat e mundshme natyrore e njerëzore, ekstremizmin e dhunshëm politik apo religjioz, Dugolli thotë se do të bëhen strategji të ndara nga dikasterët përkatës.