LAJMI I FUNDIT:

Dr. Fauci: Coronavirusi nuk do të zhduket nga planeti ynë

Dr. Fauci: Coronavirusi nuk do të zhduket nga planeti ynë

Ndërsa SHBA-të dhe jo vetëm vazhdojnë të luftojnë me shpërthimin e coronavirusit të ri, frika për një valë të dytë të rasteve po bëhet gjithnjë e më e pranishme.

Dhe sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, ndërsa nuk ka dyshim se më shumë raste do të vazhdojnë të shfaqen në muajt në vazhdim, nuk është shumë vonë për Amerikën që të parandalojë një valë të dytë të COVID-19, sipas Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) dhe anëtar i grupit punues të Shtëpisë së Bardhë ndaj COVID-19.


Duke folur për Newsweek, Fauci thotë: “Është në duart tona. Ne mund të parandalojmë një valë të dytë nëse i përgjigjemi infeksioneve të pashmangshme që do të shohim në vjeshtë dhe dimër”.

“Nuk ka dyshim se ky virus nuk do të zhduket nga planeti ynë deri në kohën kur do të arrijmë në vjeshtë dhe dimër, sepse ka një aktivitet të konsiderueshëm tani në Shtetet e Bashkuara, edhe pse në disa qytete dhe shtete rastet po bien”.

Fauci thotë se për shkak se coronavirusi i ri është i përhapur dhe shumë i transmetueshëm, “nuk mendoj se ka një shans në botë që ne do të shmangim më shumë infeksione… në mënyrë të pashmangshme do të ketë infeksione në vjeshtë dhe dimër”.

Fauci shpjegoi se virusi është shumë i vështirë për tu kontrolluar dhe eliminuar plotësisht dhe gjithmonë do të ketë disa infeksione në disa pjesë të planetit, veçanërisht pasi njerëzit do të udhëtojnë.

“Dua të them që Kina po e sheh një gjë të tillë tani. Ata praktikisht ‘shtypën’ plotësisht virusin, por tani rastet e lidhura me udhëtimet po kthehen në Kinë”.

“Por kur ato raste të pashmangshme shfaqen, nuk do të thotë që në mënyrë të pashmangshme do të kemi një valë të dytë. Është për mënyrën se si ne reagojmë për të parandaluar që këto infeksione të bëhen një valë e vërtetë. Është në duart tona, ne duhet të jemi në gjendje të rrëmbejmë ‘demin nga brirët’ dhe të jemi të përgatitur”, thotë Fauci. /Telegrafi/