LAJMI I FUNDIT:

Donacion 55 mijë euro në pajisje mjekësore për Klinikën e Neonatologjisë në QKUK

Donacion 55 mijë euro në pajisje mjekësore për Klinikën e Neonatologjisë në QKUK

Në Klinikën e Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është bërë pranim-dorëzimi i donacionit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, në vlerë mbi 55 mijë euro.

Siç bëhet e ditur në një njoftim të SHSKUK-së, Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë, ka thënë se ky donacion është i mirëseardhur për Klinikën e Neonatologjisë, meqë ka inkubator transportues, përmes së cilit do të mundësohet bartja e foshnjave që kanë nevojë për transport neonatal brenda dhe jashtë Kosovës.


“Donacioni përmban aparatin për EKG, monitor kardiopulmonar, inkubatorin transportues, fotollampat, ngrohëset radiante, pompat infuzive, peshore dhe të tjera pajisje në vlerë mbi 55 mijë euro”, shpjegoi zv.ministri Sadiku.

E Curr Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) duke folur për rëndësinë këtij dhe donacioneve tjera, njoftoi se nga muaji janar i këtij viti e deri më tani, SHSKUK-ja, ka pranuar donacione në vlerë mbi 6.5 milion euro.

Dr. Mynevere Latifi-Hoxha, drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë, ka thënë se në këtë klinikë brenda viti trajtohen mbi 11 mijë foshnje të porsalindura.

“Po mundohemi që me pajisjet aktuale që kemi në dispozicion të ofrojmë kujdesin maksimal, nevojat janë të mëdha, por shpresojmë që me ndërtimin e objektit të ri të kirurgjisë pediatrike do të krijohet edhe kujdesi intensiv neonatal me 44 shtretër me standarde dhe kushte shumë më të mira dhe pajisje të sofistikuara”, ka thënë Latifi-Hoxha.

Në njoftim thuhet se pajisjet janë pranuar përmes barnatores qendrore në prani të profesionistëve nga Klinika e Neonatologjisë të deleguar nga klinika ndërsa përmes sektorit të pajisjeve mjekësore dhe sektorit të pasurisë është bërë regjistrimi i tyre si asete të QKUK-së. /Telegrafi/