LAJMI I FUNDIT:

Doli nga shtypi “Ndihma e parë” e Prof. Isuf H. Bajramit, libër për studentë, mjekë, infermierë dhe lexues kureshtarë

Doli nga shtypi “Ndihma e parë” e Prof. Isuf H. Bajramit, libër për studentë, mjekë, infermierë dhe lexues kureshtarë

Pas një pune të gjatë, të mundimshme dhe me plot sfida, doli nga shtypi libri: “Ndihma e parë”

Libri është i ndarë në 5 kapituj, 348 faqe me 200 fotografi, ilustrime dhe ju dedikohet studentëve, mjekëve, infermierëve të të gjitha drejtimeve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë që duan të ndihmojnë në shpëtimin e jetës së njeriut në rast të sëmundjeve dhe lëndimeve jetë-kërcënuese.


Përmes librit “Ndihma e parë”, Prof. Bajrami paraqet pothuajse të gjitha gjendjet emergjente, të cilat kërkojnë ndihmë të parë.

Ky libër synon të rrisë besimin e popullatës, duke mundësuar të mësohen bazat e dhënies së ndihmës së parë me veprimet e thjeshta të ndërmarra, që mund të sjellin një ndryshim të madh.

I gjithë përshkrimi është bërë i mbështetur në literaturën bashkëkohore shkencore.

Libri është botim i Kolegjit të Shkencave Mjekësore REZONANCA.

Për më tepër rreth përmbajtjes së librit mund të lexoni mendimet dhe vlerësimet e recensentëve.

Recension i librit “Ndihma e parë” të profesor Isuf H. Bajramit

Ndihma e parë, për personat në nevojë, si veprim profesional edhe joprofesional, por si human, është një sfidë në vete çdo herë, për gjithsecilin, qoftë profesionist apo jo.

Për të qenë i gatshëm për një veprim të tillë nevojitet njohuri, edhe bazike edhe profesionale, dhe aq më shumë që dimë edhe më shumë kemi frikë.

Për të ndërmarrë një veprim të tillë, dhënien e ndihmës së parë për të shpëtuar jetë, nevojitet njohuri adekuate, skajshmërisht profesionale, konkrete dhe praktike për zbatim, duke qenë se përdoret edhe nga joprofesionistët.

Të gjitha këto njohuri profesionale, praktike, konkrete, të zbatueshme, të thjeshtëzuara sa për ta kuptuar secili, bazuar në përvojë të gjatë dhe në shkrime të tilla të vazhdueshme, e kanë një emër, profesor Isuf Bajrami, MD, MSc, specialist i lëmit.

Profesor Isuf Bajrami ka gërshetuar shkollimin adekuat dhe shumë profesional, përvojën e tij të madhe dhe të bujshme në lëmin e emergjencës dhe ndihmës së parë, aftësitë e tij për të shkruar këtë gërshetim të shkollimit dhe përvojës si dhe aftësinë tejet të lartë për të interpretuar, komunikuar dhe përcjellë te të tjerët me një vullnet, dëshirë dhe angazhim të palodhshëm në vazhdimësi.

Përmes librit “Ndihma e parë”, profesor Isufi paraqet pothuajse të gjitha gjendjet emergjente, të cilat kërkojnë ndihmë të parë, përmes pesë (5) kapitujve.

Në kapitullin e parë, profesor Bajrami parqet veçoritë e përgjithshme të ndihmës së parë, përfshirë këtu edhe përgjegjësitë dhe kompetencat e gjithsecilit për të dhënë ndihmën e parë.

Në kapitullin e dytë, paraqet reanimacionin me të gjitha hollësitë por të thjeshtëzuar, për t’u kuptuar dhe vepruar nga secili, pa dallim.

Në kapitullin e tretë paraqiten sëmundjet që kalërojnë trajtim të ndihmës së parë në stilin e thjeshtëzimit maksimal për t’u kuptuar dhe vepruar me kohë, në çdo vend dhe nga çdokush.

E kush tjetër mund të paraqesë më mirë se profesor Bajrami ndihmën e parë te lëndimet, të prezantuar në kapitullin e katërt, që në një formë duket sikur pasqyron jetën e profesorit, i cili shumicën e kohës së jetës së vet ia ka kushtuar ndihmës së personave të lënduar në të gjitha rrethanat e mundshme, nëpër të cilat ka kaluar edhe kombi ynë.

Helmimet, si urgjenca në mjekësi dhe në shëndet, prezantohen në kapitullin e pestë me aq mjeshtëri dhe tërësi të kuptueshme sa çdokush do të mund të zbatonte ndihmën e parë pa asnjë telashe dhe me mjeshtëri thuajse është profesionisti më i mirë i lëmit, tërë kjo falë vet profesorit, për shkrimin e tij brilant.

Si përmbledhje e këtij recensioni për profesor Bajramin, mund të them se ishte privilegj fillimisht e pastaj nder të jepja këtë kontribut timin të vogël për këtë libër të madh.

Ky libër është i madh për dy arsye, një sepse parqet gjithçka që i duhet një profesionisti apo një personi tjetër për të shpëtuar jetë në çdo vend dhe dy, sepse është shkruar nga profesor Bajrami, ku janë shkrirë tërë njohuritë e tij të kalitura me përvojën e tij dhe të bazuar në shkencën bashkëkohore dhe trendët aktuale. Për të mos e lënë pa cekur se ky nuk është kontributi as i parë e as i fundit i profesor Bajramit në lëmin e mjekësisë urgjente.

Çka të shtoj për Kolegjin Alma Mater Europea Campus College Rezonanca, përpos që është me fat që ka një ligjërues të tillë të këtij lëmi dhe fat edhe më i madh për studentët e këtij kolegji për të marrë njohuri adekuate nga eksperti i lëmit. Për ne kolegët, rast jetësor për të punuar me një profesionist të këtij kalibri. Shihemi në botimet e tjera!

Prof. asoc.dr. Milazim H. Gjocaj, MD, MSc, PhD
Specialist i Ekologjise Humane, Dekan i KSHM ,,REZONANCA’’

Recension i librit “Ndihma e parë” të profesor Isuf H. Bajramit

Nëse dikush mund ta bëjë ndihmën e parë interesante dhe të kuptueshme, jo vetëm për profesionistët shëndetësorë por edhe për publikun e gjerë, është profesor Isuf Bajrami.

Kur ai më pyeti nëse do të lexoja dhe rishikoja librin e tij më të ri, unë vetëm isha shumë i lumtur për ta bërë këtë.

Lënda e shtjelluar nga profesor Bajrami është organizuar shumë mirë, e sqaruar me gjuhë të kuptueshme dhe për lexuesin e zakonshëm është lehtë të kuptohet.

Kjo gjë mundëson që të gjitha udhëzimet e shpjeguara të jenë të zbatueshme në jetën e përditshme, jo vetëm nga profesionistët shëndetësorë por edhe nga anëtarët e publikut/njerëzit e zakonshëm.

Këshillat e tij janë gjithmonë praktike, gjithmonë të lehta për t’u kuptuar dhe zbatuar.

Libri ndihmon në zhvillimin e njohurive dhe besimit për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme lëndimeve dhe sëmundjeve më të vogla dhe të mëdha që ndodhin në rrugë, në punë dhe në natyrë.

Në një emergjencë kërcënuese për jetën, jeta mund të shpëtohet nëse më shumë prej nesh e dinë ndihmën e parë. Ekzistojnë gjithashtu prova të qarta që rezultatet e pacientit përmirësohen përmes shpërndarjes së ndihmës së shpejtë.

Për shkak se emergjencat e ndihmës së shpejtë janë të frikshme dhe stresuese, shumë prej nesh ndiejnë se na mungon besimi për të ndihmuar.

Ky libër synon të rrisë besimin e popullatës, duke mundësuar të mësohen bazat e dhënies së ndihmës së parë me veprimet e thjeshta të ndërmarra, që mund të sjellin një ndryshim të madh.

Synimi i autorit është ta bëjë këtë informacion të dobishëm, si në formën e tij fizike ashtu edhe nga përmbajtja shumë e lexueshme.

Gjëja që më pëlqen më shumë në librin e profesor Bajramit është se lënda është mirë e organizuar dhe shpjegon me terma shumë të thjeshtë çdo hap në përgjigjen e një urgjence të ndihmës së shpejtë. Në panik, nuk kam nevojë për udhëzime të komplikuara.
Thjesht më trego çfarë të bëj, si ta bëj dhe kur ta bëj atë!

Fotografitë janë të shkëlqyera në secilën faqe.

Ky është një libër referencë për shpëtimin e jetës, që mund ta mbani me vete në shtëpi, në makinë ose gjatë udhëtimit.

Dizajni i azhurnuar i bën më të lehta për t’u ndjekur procedurat e ndihmës së shpejtë emergjente.

Manuali i Ndihmës së Parë është një udhëzues tradicional i ndihmës së parë, por ajo që e bën atë të bie në sy është përfshirja e fotografive që përshkruajnë qartë situatën e urgjencës ose të ndihmës së parë që diskutohet. Edhe lexuesit me trajnim të kufizuar do ta kenë të lehtë të ndjekin udhëzimet duke parë fotografitë.

Dr Besim Latifaj FRCPath, Consultant Pathologist
Ashford and St Peter’s NHS Foundation Trust, Berkshire and Surrey Pathology Services Guildford Road, Chertsey, London

Recension i librit “Ndihma e parë” të profesor Isuf H. Bajramit

Autori i librit “Ndihma e parë” me anë të i këtij punimi didaktik dhe me vlerë të madhe shkencore, ku pasi u njoha me punimin, jam munduar të kryej vlerësimin tim të parë në këndëvështrimin e një vlerësimi sa më real dhe rigoroz.

Duke u bazuar në metodologjinë shkencore, që është përdorur për kryerjen e këtij teksti shkencor, forcën e madhe interpretuese të gjithë dukurive te hasura gjatë trajtimit dhe ndihmës së parë, si libri i parë dhe bazë në menaxhimin e urgjencave mjekësore.

Libri “Ndihma e parë” ka 5 kapituj dhe 246 nënkapitij duke përfshirë gjendjet jetë kërcënuese nga vlerësimi i përgjithshëm, sëmundjet e brendëshme, kardiologjike, pulomologjike, neurologjike, psikiatrike, infektive, pediatrike, kirurgjikale, otolaringologjike, okulistike, toksikologjike dhe aksidentale etj, e cila e bën këtë tekst të mbartë vlera të pamohueshme shkencore, metodologjike dhe do jetë një armë e fuqishme në duart e mjekëve, por dhe të lexuesit kureshtar.

Evidentohet në mënyrë të detajuar limiti kohor i dhënies së ndihmës së parë janë “10 minutat e platinta” [(një minutë ekzaminim, pesë minuta RKP (Reanimimin Kardio Pulmonar)], dhe katër minuta transport me kujdes deri në spital), e cila përfshin procedurat jetë shpëtuese nga ekipi mjekësor në vendngjarje, e pasuar kjo nga “ora e artë“ në të cilën trajtimi mjekësor është efektiv, për të parandaluar dëmtimin e pakthyeshëm të brendshëm dhe për të optimizuar mundësinë e mbijetesës.

Autori nuk lë pa përmendur ofrimin e kujdesit themelor të ndihmës së parë tek të sëmurët, dëmtuarët, (fëmijët dhe të rriturit) masat e RKP si dhe veprimet të cilat duhet t’i bëj në situatat kritike duke e bërë këtë më shumë dashuri e përkushtim në vendin e ngjarjes, gjatë transportit dhe deri në spital.

Autori thekson se krahas ndihmës së parë të dhënë, rëndësi paraqet përgatitja e mjeteve manuale (çantës së ndihmës së parë).

Mjetet e domosdoshme të ndihmës së parë, krahas përcaktimi për çdo element, janë përshkruar në mënyrë të saktë, ku dhe si duhen të përdoren këto pajisje, në të gjithë shtrirjen e saj të kujdesit bazë të ndihmës së parë.

I gjithë përshkrimi është bërë i mbështetur në literaturën bashkëkohore shkencore. Literatura e përdorur nga burime të ndryshme shkencore, është bashkëkohore dhe e shtojnë akoma edhe më tepër vlerën librit.

Duke menduar se mjekëve të rinj, studenteve do t’i gjendet ky tekst pranë tyre, i cili do t’i shërbejë në kohë dhe moment të duhur për të ofruar kujdesin e ndihmës së parë tek vikimat në rrezik jete.

Ky tekst ka vlera të mëdha shkencore do t’i shërbejë brezave të tashëm dhe të ardhshëm, qofshin mjekë apo lexues kureshtarë.

Libri është shkruar me një gjuhë shqipe të pastër letrare dhe është tepër i lehtë në të kuptuarin e tij.

Së fundi, e shoh me vend të përshëndes autorin për punën vetëmohuese, të palodhur, të saktë, shkencore dhe ndihmëdhënëse të bërë, dhe mendoj se një vepër e tillë shkencore do të pasurojë akoma edhe më shumë librarinë e shkencës mjekësore shqiptare.

Ndjehem i nderuar për këtë detyrë të ngarkuar, por mendoj se recensionin tim e kam kryer me shumë dashuri në mirënjohje për të nderuar kolegun tim të vyer shqiptar të Kosovës.

Asc. Prof. Dr. Agron Dogjani MD, PhD, FACS, FISS, FICS Profesor i Kirurgjisë
Departamenti i Kirurgjisë, Fakulteti Mjekësisë,
Universiteti Mjekësisë i Tiranës, Shqipëri

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori