LAJMI I FUNDIT:

Doli nga shtypi libri, “Korça sipas një kosovari”

Doli nga shtypi libri, “Korça sipas një kosovari”

Shtëpia Botuese “Armagedoni”, ka nxjerr nga shtypi librin “Korça sipas një kosovari”, të autorit Agron Shala.

Ky libër i konceptuar si reportazh, por që ngërthen në vete udhëpërshkrimin, kronikën dhe dokumentaren, i dedikohet Korçës – kryeqytetit të kulturës shqiptare, siç e quante Rose Wilder Lane.

“Korça sipas një kosovari”, me një galeri të pasur ngjarjesh dhe personazhesh nga e kaluara dhe nga e sotmja, mund të perceptohet si një pasqyrë për Korçën e ditëve të sotme, por edhe si përmbledhje e ngjeshur e historisë së begattë dhe të vjetër të këtij qyteti. Ajo është si një guidë që i shërben secilit për ta njohur këtë qytet, por edhe si thirrje për të zbërthyer më tej thesaret e tij.

Kjo vepër që lexohet me një frymë, tejkalon edhe stereotipat Kosovë-Shqipëri, Veri-Jug, apo paragjykimet që janë përbrenda vet regjioneve të caktuara, të imponuara nga izolimet e dikurshme dhe nga mungesa e komunikimit të duhur sot. Sepse, duke u përqendruar te shqiptari i rëndomtë, në anën më të ndritshme të tij, në art e në kulturë, si dhe te shembujt e shumtë nga Korça për sakrificën, humanizmin dhe patriotizmin e vërtetë, zbërthehen hallet dhe ëndrrat reale të shqiptarëve që janë të njëjta kudo ku ata jetojnë sot në Ballkan. Ndaj, në këtë aspekt, Korça – dhe shembujt e saj të ngritjes intelektuale, materiale, kulturore dhe të shtetndërtimit – mbetet shpresa e një rilindje të re shqiptare.

Për recensentin Bardh Frangu, “Vërtet zor është të gjesh një libër të tillë, të tipit reportazh, të mbushur me kaq shumë të dhëna dhe të shkruar me kaq mjeshtri dhe pasion”.

Libri i ilustruar me 50 fotografi të rralla dhe të veçanta, këto ditë do të jetë i pranishëm në libraritë kryesore të Prishtinës. /Telegrafi/