LAJMI I FUNDIT:

Dokumenti i republikanëve që akuzon FBI-në (Foto)

Dokumenti i republikanëve që akuzon FBI-në (Foto)

Pas autorizimit nga presidenti Donald Trump, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve sot bënë publik një dokument që ishte i klasifikuar sekret, në të cilin pretendohet se zyrtarët e lartë të FBI-së janë treguar të njëanshëm kundër presidentit Donald Trump.

Dokumenti iu shpërnda mediave pak pasi presidenti Trump autorizoi publikimin e tij.


Raporti ishte shkruar nga kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, republikani Devin Nunes.

Byroja Federale e Hetimeve, Departamenti i Drejtësisë dhe demokratët ishin shprehur kundër publikimit të dokumentit.

Në dokument FBI-ja akuzohet se ka abuzuar me fuqitë e saj për të fituar qasje në hetimin e ndërhyrjes së mundshme ruse në zgjedhje presidenciale, për të mbikëqyrur një nga ndihmësit e fushatës për president.

Presidenti Donald Trump tha se pas publikimit të sotëm të dokumentit legjitim republikan, shumë njerëz do të duhet të ndjehen të turpëruar.

“Memorandumi u dërgua në Kongres, kodi i fshehtësisë u hoq, Kongresi do të bëjë çfarë të nevojitet, por mendoj se është një turp për atë që ka ndodhur në vendin tonë”, tha Tramp.

“Lidershipi më i lartë dhe hetuesit e FBI-së, dhe ata të Departamentit të Drejtësisë kanë politizuar procesin e shenjtë hetues”, kishte shkruar paraprakisht Trump në Twitter.

Demokratët këtë e shohin si një përpjekje për të dëmtuar një hetim federal mbi akuzat sipas, të cilave drejtuesit e fushatës së Trump kanë punuar fshehurazi me Rusinë para zgjedhjeve të vitit 2016.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan minimizoi pasojat e mundshme të publikimit të memos, mbi hetimin e kryesuar nga prokurori special Robert Mueller, duke nënvizuar se Kongresi kishte për detyrë të verifikonte nëse fuqitë mbikëqyrëse ishin përdorur në mënyrë korrekte. /kp/Telegrafi/

Dokumenti: http://docs.house.gov/meetings…