LAJMI I FUNDIT:

Dogana ka dërguar shtatë raste të dyshimta të origjinës së produkteve për verifikim (Video)

Dogana ka dërguar shtatë raste të dyshimta të origjinës së produkteve për verifikim (Video)

Ndryshimi i letrave të origjinës së produkteve duhet të konfirmohet, duke pamundësuar kështu që në vendin tonë të hyjnë produkte nga Serbia apo Bosnja. Kështu thonë njohësit e ekonomisë, ndërsa Doganat e Kosovës tashmë ka dërguar 7 kërkesa për verifikimin e origjinës së produkteve.

Dogana e Kosovës  për shkak të dyshimit  të origjinës së mallrave ka dërguar deri më tash, 7 kërkesa nëpër vendet e rajonit për verifikim të origjinës së produkteve. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci.

“Ne deri tani kemi dërguar rreth shtatë produkte për verifikim të origjinës në vendet e rajonit. Por duhet të kemi parasysh se Kosova është anëtare e CEFTA-s e pastaj e MSA-së, ku tregohet qartësisht se si përfitohet origjina e një produkti”, thotë për RTV Dukagjini, Adriatik Stavileci.

Stavileci thotë se varësisht nga përgjigjja e shteteve, ka qenë edhe veprimi i doganës.

“Kemi pasur raste kur e kemi dërguar vajin ushqimor për verifikim në Maqedoni, por fatmirësisht pjesa më e madhe kanë pasur origjinë të vendeve tjera jashtë Serbisë… Produktet me origjinë serbe i kemi kthyer mbrapa”, tha më tej  Stavileci.

Arian Zeka nga Oda Ekonomika Amerikane, shprehet se duhet pasur kujdes në mos lejimin e ndryshimit të letrave prej vendit të origjinës.

“Të mos lejohet ndryshimi i letrave ashtu siç është raportuar. Nëse produkti ka filluar të prodhohet apo mbushet në njërin prej këtyre shteteve në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregëtisë (OBT), atëherë është çështje tjetër”, tha Arian Zeka.

Të njëjtin shqetësim e kishte ndarë edhe Kryetari i Odës Ekonimike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili kishte thënë se ka dyshime që mallrat serbe po hyjnë në Kosovë edhe nga Shqipëria./RTV Dukagjini/Telegrafi/