LAJMI I FUNDIT:

Dodik provokon skandal diplomatik me dhuratën që i bëri ministrit të jashtëm rus

Dodik provokon skandal diplomatik me dhuratën që i bëri ministrit të jashtëm rus

Anëtari serb i Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës, Milorad Dodik, i ka bërë dhuratë një ikonë 300-vjeçare, ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Por çfarë ka bërë bujë në këtë lajm dhe që po cilësohet si një skandal diplomatik është fakti se dyshohet se ikona është marrë nga Lugansk, një qytet në Ukrainën lindore, i cili ndodhet në territorin që ka qenë nën kontrollin e forcave pro-ruse që nga viti 2014.


Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës konfirmoi çështjen të premten dhe njoftoi se do të kontrollonte të gjitha pretendimet.

Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Biljana Turkoviq, deklaroi se Prokuroria “ka një bazë serioze për të inspektuar se si Dodik erdhi në zotërim të pronës së tjetërsuar të Ukrainës”.

Dodik ia paraqiti ikonën, fotografia e së cilës u botua nga agjencia e lajmeve Srna, Lavrovit në 14 dhjetor, gjatë vizitës së ministrit rus në Bosnje dhe Herzegovinë.

Për këtë çështje, kabineti i Milorad Dodik nuk iu përgjigj pyetjeve të BBC në gjuhën serbe derisa ky tekst po botohej, shkruan mediumi në fjalë.

Sipas mediave boshnjake, Dodik i dha Lavrovit një ikonë me një vulë, e cila dëshmon se është në pronësi të Ukrainës Sovjetike.

Si pasojë, më 16 dhjetor, Ambasada e Ukrainës në Bosnjë dhe Hercegovinë i dërgoi një notë proteste qeverisë Boshnjake, duke pyetur se si ikona arriti në atë vend.

“Diplomatët tanë do të takohen me kolegët e tyre Boshnjakë në ditët e ardhshme”, ka thënë për BBC zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ai shtoi se publiku do të informohet për rezultatin e takimit.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës shton se diplomatët morën vesh për dhuratën nga media, falë fotove të vulës që pretendohet se konfirmon origjinën e saj në Ukrainë.

“Ne duam një shpjegim sesi erdhi ikona në Bosnjë dhe Hercegovinë në përgjithësi, por gjithashtu se si lindi vendimi për t’ia dhënë atë ministrit rus”, përfundon Nikolenko. /Telegrafi/