“Do publikojmë gjëra për ju” – Rashiq thotë se u kontaktuan nga Serbia me tone kërcënuese

Nenad Rashiq, i zgjedhur së fundmi si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, ka bërë të ditur se ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë kontaktuar nga persona me numra telefoni nga Serbia, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.
Ai ndau disa nga rastet dhe rrethanat e këtyre thirrjeve, duke ngritur shqetësime mbi motivet pas tyre, transmeton Telegrafi.
Sipas Rashiqit, më 24.07.2025 një person me numër nga Serbia kishte kontaktuar tre bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe u ishte paraqitur si bashkëpunëtor i Agjencionit Informativ në Serbi.
“Me ultimatum u kanë thënë që të vijnë në Beograd brenda dy dite për të mirën e tyre. Siç u ka thënë. E enjte ka qenë, takimi është caktuar për të shtunën. Zëri me të cilin iu ka drejtuar ka qenë kërcënues dhe urdhërues. Askush nga bashkëpunëtorët e mi nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje”, ka deklaruar Rashiq.
Pasi bashkëpunëtorët e tij nuk i ishin përgjigjur kërkesës së personit që Rashiq pretendon se i ka kontaktuar, në javën e parë të gushtit, numri i njëjtë iu ka dërguar porosinë, sipas tij, “Nuk keni dashur të bashkëpunoni, edhe tash e tutje ne për ju do t’i shfaqim në publik disa gjëra komprometuese për ju”.
Rashiq tha se nuk janë marrë me këtë punë, sepse disa herë u ka ndodhur të kontaktohen në këtë mënyrë, por kishte marrë vesh se në gjysmë të muajit gusht disa redaksi kanë marrë disa incizime. Dhe pastaj tha se menjëherë i ka lajmëruar organet përgjegjëse për këtë gjë.
“Nuk e kemi marrë seriozisht, për arsye se nuk ka ndodhur asgjë në atë kohë, mirëpo në këtë 10 ditëshin e fundit, një portal i publikoi të ashtuquajtura këto incizime që absolutisht nuk janë të vërteta, janë të montuara, do të thotë janë gënjeshtër", tha ndër tjera Rashiq.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Fatmir Sheholli nën dyshimin se ishte i rekrutuar i Shërbimit Inteligjent të Serbisë dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimic.
Në dosjen thuhet, Sheholli thuhet se ka mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA përmes komunikimeve telefonike.
Sipas Prokurorisë, Sheholli, sipas udhëzimeve dhe planeve të Dimicit, më 26 shtator të këtij viti në Mitrovicë të Veriut kishte marrë materiale, audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që dyshohet se janë komprometuese si dhe një shumë të hollave si shpërblim për publikimin e tyre, të cilat pastaj i ka publikuar në media online.
Përveç kësaj, Sheholli thuhet se nga ky person ka marrë edhe një shumë të hollash si shpërblim për publikimin e tyre të cilat më pas janë publikuar në disa prej mediave online në Kosovë.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime, me dashje dhe vetëdije, Sheholli ka ndihmuar BIA-në duke zbatuar udhëzimet e tyre dhe rrjedhimisht ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës e po ashtu edhe integritetin e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj. /Telegrafi/



















































