LAJMI I FUNDIT:

Dita ime e Sofia Coppolas

Dita ime e Sofia Coppolas

Natasha Lako

Ndoshta në kinematografi nuk ka pasur deri më sot ndonjë këndvështrim kaq femëror për të parë konfliktet e thella njerëzore, si në filmin e Sofia Coppolas – “The Beguiled” (“Disa tërheqëse” – si do ta përktheja unë). Bëhet fjalë për një grup vajzash të vitit 1864, që gjatë Luftës Civile gjenden në shkollën që, në mes të konfliktit, sa një grusht kanë mbetur në dorën e drejtueses së saj të luajtur nga Nicole Kidman. Po të lexosh subjektin e filmit, që mbështetet në një novelë të shkruar dhe ekranizuar edhe më parë, do të duket sikur një dorë e ngjashme me punonjëset e vjetra të montazhit, ka përshkruar fill e pe skenat që rrjedhin njëra pas tjetrës dhe që një kritik i ka quajtur të një ndërtimi kirurgjikal, aq me skrupulozitet vjen së pari leximi i vetë regjisores amerikane.

Askund nuk thuhet se fill në internate të vogla të arsimimit të parë femëror, fillon të shpaloset një frymëmarrje që duket se i ishte fshehur botës për shekuj me radhë. Por që gjithsesi nuk e humbet magnetin drejt qerthullit të marrëdhënieve mes sekseve dhe shtratit, ku nuk mungon tërheqja fizike, apo seksuale, ëndrra, apo zhbirimi, forca e shpalosjes se këtyre rrethanave të njëpasnjëshme me të cilat Sofie Coppola, duke ndërhyrë dy shekuj e ca me parë, arrin suksesin e saj.

Ndoshta unë nuk do të shkruaja këto rreshta për gjuhën filmike të kësaj regjisoreje, sikur ajo të mos kishte moshën e vajzës sime. Dhe, sikur një zë edhe më i thellë i brendshëm të mos më thoshte se e gjithë kjo ngjarje është vendosur po thuaj në të njëjtat rrethana dramatike të Sevasti Qiriazit kur ajo, përshfaqur si Dafina te filmi “Mësonjëtorja”, mbetet me një vajze te vetme, në shkollën e saj të hapur vetëm njëzet vjet me vonë gjithnjë në shekullin XIX.

Që atëherë dhe deri sot, lexuesit u njohën me këndvështrimin e Madame De Staël, Jane Austen, Koleten, Zonjën Stein, pa llogaritur fuqinë e sotme shprehëse të poetëve dhe shkrimtarëve që kanë fituar çmimin Nobel. Megjithatë duhet të them se vështrimi i Sofia Coppolas, ai i kinematografisë, është një nga më të freskëtit, në zbërthimin e shpirtit njerëzor në momente të një izolimi dhe trysnie të pashoq edhe përballë vetes, në një truall ku çelin marrëdhëniet me të qenësishme të kësaj bote.

Gjithçka ndryshon në këtë buqetë femërore të krijuar me finesat e Monesë dhe tablove të tjera të shekujve të mëpastajmë, kur në gjysmë internatin me shtylla të bardha të qëndrueshme doriko-gotike, që përfaqësojnë trashëgiminë e palëkundur, një prej vajzave me të vogla sjell një ushtar të Unionit, që ka dezertuar, por që trondit shpirtrat delikate.

Ndoshta ushtari i plagosur, të cilit përpiqen t’i shërojnë plagët, duhet t’u japë diçka të gjithave aq sa vajza më e vogël meriton një kopsë të uniformës së tij. Ato duhet t’i japin mikpritjen, librin e lutjeve, një gotë konjak dhe pastaj një tjetër, pamjet delikate, provokimet, tingujt e muzikës, besnikërinë për të mos e dorëzuar te njerëzit e tyre të Konfederatës, derisa në fund bashkërisht vendosin t’i japin kërpudhat me helm që i shkaktojnë vdekjen.

Filmi e përdor muzikën kur i takon të ndërhyjë bota e papritur e anktheve trupore, që e lënë botën tjetër jashtë. Vendosja e kësaj ngjarje të parë nga këndvështrimi i vajzave gjatë luftës civile amerikane, vetëm se riciklon rrathët e konflikteve që njerëzit i kanë në të gjithë marrëdhëniet e tyre. Dhe, pyes veten. Kur do të mësohemi ta shohim veten, pa bërë përditë vetëm histori e cila është një shkencë tjetër. Të vraposh nëpërmjet këtyre sagave, nga filmi i famshëm klasik i Victor Flemingut, “Përftoi me erën”, deri te filmi i fundit i Sofia Coppolas është të sjellësh gjithmonë vrushkuj të erërave të sapo lindura.

Sofia Coppola duket se sa ka përcjell te dera Ingmar Berganin dhe konflikte të pashprehura direkt, duke afruar edhe më filmin amerikan me atë evropian. Ndoshta se në film ndjehet e trajtuar influenca e periudhës viktoriane, kur vajzat artin e tyre të parë kishin të mësonin të qëndisnin dhe të qepnin. Dhe, kisha dëshirë të ndaja me ju respektin dhe mirënjohjen për këtë qëndistari të re të shekulli të XXI që na jep Coppola. Mund të flisja edhe më shumë për të si për botën tonë, një botë që për ditë ne e diferencojmë nga ajo e të tjerëve, sikur të kemi fituar një identitet specifik dhe të pangjashëm. Dikush mund të thotë se kështu i krehim bishtin vetes, po unë nuk e them.

Unë kam zgjedhur të shpreh gëzimin tim që një kineaste si Sofia na ka dhënë një film kompakt, edhe kur ka zgjedhur kohën e konflikteve të mëdha, në aq kompaktësi deri në kompleksitetin e botës femërore e cila shprehet si kulminacion në përngjasimin e një kasapi, në rolin e realizuar kaq kompaktësisht pa shprehje të hapur, të drejtpërdrejtë prej Nikoce Kidmanit. Dhe ja me këtë forcë kaq jo të drejtpërdrejtë, mjafton të duket e tepërt gjithçka tjetër që mund të thuhet për një lufte civile nga më të famshmet.

Sofia mund të të bëjë edhe të buzëqeshësh duke parë ato lutje të përditshme fetare edhe gjatë vendimit dhe kompaktësisë për të helmuar një njeri, që e mendonin armik, ju doli i zakonshëm, pastaj zgjues ëndrrash dhe pabesnik e jomirënjohës, pasi është më lehtë të tregosh dhunë se sa mirënjohje për të gjithë. Merre me mend sa do ta kisha fyer këtë botë artistike të sotme, sikur pasi të kisha parë këtë film, të mos kisha shkruar këto rreshta. Meqë sot nuk e di se të kujt e kanë shpallur botën organizatat ndërkombëtare, as se çfarë ka qenë më kryesore në agjendën kryesore të politikes dhe mediave shqiptare, thjesht dëshiroj ta quaj për ju edhe si dita ime e Sofia Coppolas. Ia vlen. Prandaj, po shpejtoj që të mos kapërcejë ora 24.00. Dhe ja edhe një “natën e mirë”.