Opozita ruse në mërgim është në kontakt me zyrtarët ukrainas, tha Vladimir Kara-Murza, gazetari ruso-britanik dhe kritik kryesor i Kremlinit.

Edhe pse si Ukraina ashtu edhe opozita ruse janë kundërshtarë të ashpër të presidentit rus, Vladimir Putin, ata kryesisht kanë shmangur bashkëpunimin mes tyre.


Kievi ka qenë i kujdesshëm ndaj këtij grupimi opozitar, duke u shqetësuar se ai ende mund të ruajë qëndrime imperialiste ndaj Ukrainës dhe pushtimit të udhëhequr nga Kremlini, përfshirë aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Megjithatë, Kara-Murza – një ish-i burgosur politik që u lirua vitin e kaluar nga një burg siberian në një shkëmbim të të burgosurve – deklaroi për POLITICO se tani po zhvillohen dialogë pas perdeve. Bisedimet me zyrtarët ukrainas nuk janë publike, shtoi ai.

"Do të dëshironim që këto kontakte të ngriheshin në nivelin më të lartë," shtoi ai, duke aluduar, siç duket, në presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kara-Murza i bëri këto komente pas një fjalimi para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, së bashku me Julia Navalnaya, bashkëshorten e liderit të ndjerë të opozitës ruse Aleksei Navalny, i cili vdiq vitin e kaluar në një burg në Arktik. Ekipi i Navalnit pretendon se ai u vra me urdhër të Putinit.

Ilja Yashin, një tjetër politikan opozitar rus që mori pjesë në diskutimin në Bruksel, tha se Bashkimi Evropian mund të ndërmjetësojë mes lëvizjes demokratike ruse dhe qeverisë ukrainase.

"Duam të fillojmë këtë dialog me Ukrainën. Ne nuk jemi kundërshtarë të Ukrainës dhe dëshirojmë të ruajmë pavarësinë e saj", tha Ilja Jaşin, duke pohuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shprehur gatishmëri për të biseduar me ta.

Përçarjet midis ukrainasve dhe opozitës ruse lidhen kryesisht me çështjen e përgjegjësisë për luftën. Shumë në Ukrainë e konsiderojnë popullin rus përgjegjës për agresionin e Moskës, ndërsa disidentët përpiqen të theksojnë se kjo është lufta e presidentit rus, Vladimir Putin dhe se rusët e zakonshëm janë po aq viktima sa edhe ukrainasit.

Thuhet se zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka refuzuar një ftesë për të marrë pjesë në një fjalim të ish-presidentit amerikan, Joe Biden vitin e kaluar, sepse do të duhej të ulej pranë Yulia Navalnaya, e cila gjithashtu ishte ftuar, por kishte refuzuar të merrte pjesë, sipas raportimeve të Washington Post.

Kara-Murza ishte gjithashtu në qendër të një skandali në muajin prill, kur gjatë një dëgjese në Senatin francez, pretendoi se ishte më e lehtë për ushtarët jo-rusë të vrisnin ukrainas për shkak të dallimeve kulturore dhe gjuhësore.

Komentet e tij, sipas të cilave rusët dhe ukrainasit janë të njëjtë, "flasin pothuajse të njëjtën gjuhë, ndajnë të njëjtën fe dhe shekuj të tërë historie të përbashkët", shkaktuan zemërim të madh mes ukrainasve dhe popujve të ish-republikave sovjetike, të cilët e akuzuan për racizëm dhe imperializëm.

Më pas, Kara-Murza pretendoi se fjalët e tij ishin nxjerrë nga konteksti, duke sqaruar se kishte qenë duke folur për një bisedë me një koleg. /Telegrafi/