LAJMI I FUNDIT:

Disidentët e Iranit ofrojnë modelin e ri të martirizimit

Disidentët e Iranit ofrojnë modelin e ri të martirizimit

Lexo po ashtu: Ambiciet revolucionare të Gjeneratës Z të Iranit

Nga: Najmeh Bozorgmehr / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në një ditë të ftohtë të dimrit të vitit 1987, njërës prej shoqeve të klasës ia dhanë lajmin se vëllai i saj më i madh – 17-vjeçar, luftëtar vullnetar në ushtrinë iraniane – ishte “martirizuar” gjatë luftës me Irakun. Fatemehja ishte e shkatërruar. Ky ishte vëllai i dytë i saj që kishte humbur jetën në luftën që zgjati tetë vjet.


Dhjetëra nxënës dhe mësues e shoqëruan për në shtëpi. Te dera, nëna e saj mbahej fortë dhe me krenari. “Nuk ka ngushëllime”, kërkoi ajo, teksa një incizim i Kuranit dëgjohej në sfond. “Mund të na përgëzoni për martirizimin e tij”.

Atë kohë, më pak se një dekadë pas Revolucionit Islamik, qëndrimi i familjes së saj nuk paraqiste ndonjë përjashtim. Shumë iranianë ishin gjunjëzuar ndaj ideologjisë së Islamit politik dhe besonin se vdekjet e tilla do të ndihmonin në krijimin e utopisë. Lufta kundër tiranisë së perceptuar të ShBA-së dhe të aleatëve të saj në rajon – dhe vdekja për kauzën – ishte ëndrra e shumë djemve.

Kjo ushtri besnike u tkurr gjatë më shumë se katër dekadave të ekzistencës së Republikës Islame, por udhëheqësit e Iranit ende mbështeten te guximi për t’u marrë me kërcënimet e shtuara të brendshme dhe ndërkombëtare. Politikanët e vijës së ashpër besojnë se politikat e tilla, si mbulimi i detyrueshëm islamik për gratë, këta besnikë i bënë të jenë ende të kënaqur; ata i kanë injoruar kërkesat e protestuesve të rinj, duke supozuar se ky rebelim nuk do të rrezikonte kurrë jetën e tyre.

Por, demonstratat e fundit në Iran e paralajmërojnë ndryshimin: është shfaqur ideologjia moderne, laike. Të rinjtë janë zotuar ta zëvendësojnë teokracinë me demokracinë laike, pa marrë parasysh çmimin. Sociologët iranianë thonë se që nga koha e Zarathustrës e deri më sot, ky është rasti i pashembullt ku mund të jesh dëshmitar i lëvizjes që nuk ka lidhje me fenë.

Familjet e atyre që humbën më të dashurit e tyre gjatë protestave të fundit kundër represionit shtetëror, kanë shprehur mirënjohje për ndikimin që kanë vdekjet e fëmijëve të tyre.

“Kur mendoj mirë, madje jam e lumtur që vajza ime humbi jetën për kauzat e vet”, tha për gazetën e përditshme Etemad, nëna e 16-vjeçaress Nika Shakarami, pasi fëmija i saj vdiq gjatë protestave. Ajo tha se vajza e saj donte të ishte e lirë dhe se e urrente kodin islamik të veshjes. Prindërit tjerë kanë treguar guxim të ngjashëm.

Protestat nisën në mesin e shtatorit 2022 dhe vazhduan për disa muaj pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini – në paraburgim, nga policia. Ajo u arrestua për mos respektimin e duhur të kodit të veshjes islamike. Kundërshtimi – sipas organizatës Amnesty International – ka marrë më shumë se 300 jetë, përfshirë 44 fëmijë. Katër protestues janë ekzekutuar.

Për momentin, protestat në rrugë pothuajse janë ndaluar, por vështirë se ndonjë politikan pro reformës mendon se ky është fundi. As regjimi dhe as disidentët nuk tregojnë se kanë oreks për kompromis: është një ngërç i paqëndrueshëm. Por, mediat sociale vazhdojnë të jenë një fushë e betejës. Qarkullojnë videot e atyre që vdiqën, u varën apo u arrestuan, duke i shfaqur ata duke kërcyer, duke kënduar, duke bërë sport dhe duke e shijuar jetën normale.

Pak para se të çohej në trekëmbësh, gjatë muajit të kaluar, Majidreza Rahnavard – protestuese 23-vjeçare e dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë – u shfaq në televizionin shtetëror. Me sy të lidhur e dha me qetësi kërkesën e tij të fundit: Pa lot; pa recitim të Kuranin; pa asnjë lutje. “Festoni!”, u tha ajo njerëzve.

Antropologu Mohsen Shahrnazdar thotë se vlerat dhe qëllimet e kësaj lëvizjeje ndërtojnë ideologjinë e bazuar në “dinjitetin njerëzor” dhe në “liritë individuale dhe sociale”. Të drejtat e grave ishin katalizator, por çështje tjera, si të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, janë përfshirë po ashtu.

Amini ishte pjesëtare e një pakicë etnike dhe fetare – kurde dhe myslimane sunite – por kombi i dominuar nga myslimanët shiitë dhe nga persët e vajtuan vdekjen e saj. Të tjerët që humbën jetën ishin turq etnikë, lurë dhe baluçë. Një nga simbolet e protestave ka qenë vallëzimi i Khodanour Lajeit nga provinca Sistan-Baluçestan, i vrarë në shtator.

Nacionalizmi iranian ka evoluar, thonë analistët. Nëna e Kian Pirfalakut, e nëntëvjeçarit që u qëllua kur familja e tij kalonte me makinë para protestuesve, ndaloi incizimet e Kuranit në funeralin e djalit të saj. Me zërin e qetë – teksa iu drejtua turmës prej mijëra vetave – ajo tha: “Një herë kur e ndëshkova për injorimin e mësimeve të Kuranit në shkollë, ai më tha: ‘A jam arab? Jam iranian’”. /Telegrafi/