LAJMI I FUNDIT:

Disa mendime për humorin

Disa mendime për humorin

Nga: E. B. White
E përktheu: Granit Zela

Shumë janë përpjekur të shkruajnë për humorin, dhe unë e kam lexuar një pjesë të kësaj literature, por s’më kanë mësuar ndonjë gjë të madhe. Humori mund të shpalohet, ashtu si mjegulla, por gjërat zhduken gjatë kësaj ndërkohe dhe çfarë ndodhet i nënkuptuar i shkurajon të gjithë, me përjashtim të mendjes mirëfilli shkencore. Në një teatër shëtitës kam parë fotografinë e një burri që kishte krijuar flluska të panumërta sapuni, të cilat ishin ngjitur në një lartësi e cila s’ishte arritur kurrë më parë. Ai ishte shndërruar në krijuesin e pakonkurrueshëm të bërjes së flluskave në Amerikë, dhe e kishte përsosur këtë punë duke e stërholluar, dyfishuar, katërfishuar. Madje kishte arritur deri në atë pikë sa mund të mbulohej i tëri me flluska sapuni. Efekti i përftuar s’ishte tërheqës. Disa prej flluskave ishin tepër të mëdha për të qenë të bukura, dhe flluskabërësi gjatë gjithë kohës kërcente i mbuluar prej tyre, u shmangej ose bëntë ndonjë lojë aspak tëheqëse me to. S’ishte asgjë më shumë se një pamje e neveritshme. Me humorin, ndodh pak a shumë e njëjta gjë: s’e duron fryrjen e tepërt, ashtu si flluska s’e duron pickimin. Ka një lloj brishtësie, fluiditeti, i cili i cili duhet të respektohet me besnikëri. Humori në thelb është plotësisht mister. Një trup njerëzor që shkundet nga të qeshurit, një e qeshur që bëhet histerike dhe e pakontrollueshme, e humbet drejtpeshimin po aq sa një grup njerëzish të mbërthyer nga lemza apo grahmat e teshtitjeve.

Një nga gjërat që rëndom thuhet për humoristët është se në realitet janë njerëz të trishtuar, klounë që ta thyejnë zemrën. Ka njëfarë të vërtetë në këtë, por s’është shprehur si duhet. Mendoj se do të ishte më e vërtetë, por të thoshim se një damar i thellë melankolik përshkon jetën e gjithkujt dhe se humoristi, ndoshta, është më i ndjeshëm ndaj tij se të tjerët, dhe e kompenson këtë në mënyrë aktive dhe pozitive. Humoristët lartësohen mbi andrallat e jetës. Ata s’reshtin përpjekjet dhe kanë vullnet të mirë ndërsa i durojnë dhimbjet me gaz. I sheh tek ndeshen me gjuhë të huaja, luajnë me gjestet, mimikën dhe imitimet, teksa vuajnë parehatinë e çizmeve të ngushta (apo sikur i quante Josh Billings “çizme mbërthyese”). Ato i japin udhë pikëllimit të tyre në mënyrë të frytshme, në një formë e cila nuk është as krejtësisht trillim sikurse as krejtësisht fakt. Poshtë të dukshmes shndritëse të këtyre mëdyshjeve rrjedh batica e fortë e mjerimit njerëzor.

Në fakt secili prej nesh është deri diku një lloj maniaku depresiv me ulje-ngritjet e humorit dhe, sigurisht, nuk duhet të jesh humorist që të provosh trishtimin e situatës dhe gjendjes shpirtërore. Por shpesh ka një vijë të hollë që e ndan të qeshurën nga e qara, dhe një shkrim argëtues e sjell një person në pikën ku reagimet e tij emocionale janë të pabesueshme dhe ka gjasë të ndërpriten në mbretërinë e kundërt, kjo ndodh sepse humori, ashtu si poezia, ka një përmbajtje tjetër që është vetëm e tij. Ngjan me zjarrin e madh dhe të nxehtë të së Vërtetës, ndërkohë që herë pas here lexuesi e ndien përvëlimin e tij.

Kur po rilexoja disa prej ditarëve parodizues të Franklin P. Adams-it, hasa në këtë shënim të datës 28 prill, 1926: Lexoni librin e H. Canby-t Të shkruash më mirë, i cili është i shkëqyer. Por kur thotë: “Sensi i humorit vlen sa floriri për çdo shkrimtar”, unë s’jam fare dakord. Sepse shkrimtarët që kanë arritur të grumbullojnë arin e tyre letrar, mua më duket se nuk kanë fare sens humori, po kështu mendoj se nëse do ta kishin këtë sens humori, kjo do të ishte e tmerrshme për ta, sepse do t’i paralizonte deri në atë pikë sa s’do të mund të shkruanin më kurrë. Sepse tek shkrimtari duhet të vlerësohet më shumë emocioni sesa sensi i humorit, ndërkohë që ato shpesh janë në konflikt me njëri-tjetrin. Ky është një vëzhgim i vëmendshëm.

Mendoj se përceptimi i humorit mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Palaçoja i oborrit në kohën e Shekspirit s’kishte pozitë sociale dhe nuk ishte më i mirë se një laké por dëgjohej me goxha vëmendje, dhe te humori i tij mbartte të vërtetën e cila ishte e fshehur diku. Artistikisht ndoshta qëndronte më lart se humoristi i sotëm, i cili ka fituar pozitën sociale por jo mirësinë e të plotfuqishmit. (Mendoni se sa andralla do t’i kursente vetes në se do t’i kushtonte vëmendje gjepurave!) Një poet që u këndonte bëmave të mëdha, gëzonte një pozitë më të lartë se palaçoja dhe i lejohej të vishte rroba të mira; përsëri unë dyshoj që këngëtari i baladave lajakatonte më shpesh se një lolo i dorës së dytë monarkun e tij me lirika, ndërsa palaçoja duhet të ketë qenë shpesh personazh i dorës së dytë që i jepte monarkut këshilla të vyera me lojëra fjalësh.

Frank Moore Colby, një nga humoristët më inteligjentë aktiv në vend në fillim të shekullit të njëzetë, në një ese të titulluar “Në kërkim të humorit” përshkruante se si amerikani do dhe ruan pasurinë e tij më të çmuar: “Sot është gjëja më e zakonshme në botë të dëgjosh njerëzit ta quajnë mungesën e sensit të humorit një të metë fatale. Pavarësisht se sa nursëz është njeriu, këtë ta pohon me siguri. Është një e metë mjerane, dhe të shkakton dëm të pallogaritshëm. Një jetë pa humor është si jeta e njeriut pa këmbë. Të ndjek nga pas një ndjesi mangësie, pasi s’mund të arrish atje ku arrijnë miqtë e tu. Je deri diku një lloj barre. Por e vetmja gjë vërtetë fatale është shtirja e të bërit humor kur ti s’e e zotëron dot atë. Janë disa njerëz që kanë lindur për me qenë serioz prej djepit në varr. Ka shumë gjasa që të mbesin të tillë. Kësisoj, për sa kohë i qëndrojnë besnik natyrës së tyre, s’përbëjnë rrezik për askënd; por kur dalin jashtë natyrës së tyre bëhen të tmerrshëm. Solemniteti është deri diku një bekim, dhe ai që ka lindur me këtë veti, nuk duhet të nxitet asnjëherë t’i shmanget. E kemi lavdëruar humorin kaq shumë sa kemi krijuar një kult të pasinqertë, dhe janë të shumtë ata që mendojnë se duhet ta glorifikojnë ndërkohë që e urrejnë me shpirt. Adhurimi i rremë i humorit është më i vdekshmi ndër mëkatet sociale, dhe një ndër më të zakonshmit. Njerëzit me asnjë lloj sensi humori në gjak do ta lavdërojnë me orë të tëra. Burrat do të pohojnë, tradhtinë, vrasjen, zjarrvënien e qëllimshme ose dhëmbët falsë. Sa prej tyre do të pranojnë sinqerisht mungesën e humorit? Guximi që mund të nxirrte në pah këtë kurajë tek një njeri do të shlyente çdo lloj ndjenje faji.

Mund të thuhet që pak humoristë amerikanë janë bërë me të vërtetë të famshëm, në atë mënyrë që janë të njohur në çdo kënd të vendit, sikurse ka ndodhur me shumë romancierë dhe personazhe serioze letrare që janë bërë të famshëm. Mark Twain-i ia doli. Ai pati, pa dyshim një fillim të mbarë, meqenëse në thelb ishte rrëfimtar dhe humori i tij qe më tepër ngashënjim. (Ishte gjithashtu shumë-shumë i mirë).

Në vitet ’20 dhe ’30 Ring Lardner-i ishte idhull i humoristëve profesionistë dhe shumë njerëzve të tjerë, gjithashtu; por mendoj se tregohem korrekt kur them që në kulmin e karrierës ai nuk qe një nga figurat letrare më të njohura letrare në vend, dhe emri i Lardner-it ishte i njohur jo për miliona por për pak qindra. Ai kurrë nuk arriti popullaritetin e Mister dhe Mis Amerikës apo të të tjerëve, deri në masën që e arriti Mark Twain-i dhe dyshoj nëse do ta arrij ndonjëherë. Në përgjithësi, humoristët që i japin kënaqësi një audience të gjerë, janë ata që krijojnë personazhe dhe rrëfejnë përralla, pra janë rrëfimtarë të lindur. Larnder-i rrëfeu histori dhe u dha jetë disa personazheve, por unë mendoj para së gjithash se ai ishte realist, parodist, dhe satirist, jo thelbësisht një shkrimtar krijimesh letrare. Publiku i përgjithshëm ka nevojë për diçka pas së cilës të jepet – një personazh me emrin Penrod, Huck Finn apo Lepur Vëllaçkoja, personazh i përrallave afrikane. Mprehtësia e satirës, burleskes, absurdes, parodisë dhe kritikës nuk i përkasin shijes së përgjithshme; ato janë për shtresën e lartë të intelektit. Clarence Day, për shembull, nuk binte shumë në sy kur hidhte në mënyrë të pakrahasueshme në letër “Mendime pa fjalë”, të cilat përbëjnë pjesën më të mirë të krijimtarisë së tij; ai u bë i njohur dhe i dashur për publikun e gjerë vetëm pasi i dha jetë personazhit të Babait. (Këshillë për shkrimtarët e rinj që duan të bëjnë përpara pa ndonjë vonesë të mërzitshme: mos shkruani për Njeriun, shkruani për një njeri të veçantë.)

Mua më ngjall interes, leximi i “Shpërthimi i Mark Twain-it, të De Voto-s për të ndeshur në disa vërejtje therëse të zotit Clemense për një antologji humori të cilën avokati i tij për të drejtën e autorit i kishte dërguar dhe të cilin Mark Twain-i e përshkruante si “një volum të madh, të trashë, thumbues”. Ai nuk ishte argëtues. “Ky libër është si varr! – shkroi ai. Në këtë volum të përzishëm (vazhdon De Voto) unë gjej Nashy-n, Artemis Wad-in, Yawcob Strauss-in, Derby-n, Burdette-n, Eli Perkins-in, personazhin e gazetës Danbury, Orpheus C. Kerr-in, Smith O’Brian-in. Josh Billingsi-n, dhe një duzinë shkrimtarësh të tjerë, mbase dy duzina shkrimtarësh, shkrimet dhe thëniet e të cilëve përcilleshin gojë më gojë, ndërsa sot as që përmenden. Shtatëdhjetë e tetë shkrimtarë të përmendur në këtë libër ngjajnë me një aradhë të pabesueshme artistësh të një periudhe dyzet vjeçare, megjithëkëtë s’mund të thuash se ky libër përfshin të gjithë krijimtarinë e kësaj kohe, përkundrazi. Nuk përmendet Ilke Parlington-i; dikur kaq i dashur dhe i mirënjohur, nuk përmendet Doectis’i, as imituesit e panumurt të Artemis Ward-it, as edhe njëri prej tre humoristëve popullorë jugorë, emrat e të cilëve s’po më kujtohen, dhe as një duzinë talentesh të shndritshëm drita e të cilëve ka shkëlqyer gjatë, porse ka kohë që është shuar”.

Pse u harruan ata? Sepse ishin thjesht shkrimtarë humori. Shkrimtarët e humorit, që janë “thjeshtë” të tillë, nuk mund të mbijetojnë. Humori është thjeshtë aromë, zbukurim. Shpesh kërkon një truk të vjetër ligjërate dhe gërmëzimi, si në rasitn e Ward-it dhe Billings-it apo edhe Nasby-it me “Vullnetarët e shpërdarë” por realisht moda ikën, dhe fama bashkë me të.

Nuk ka shumë kohë që jam thelluar në studimin e humorit dialektor të qysh para pesëdhjetë deri njëqind vjetëve më parë, humor i cili për Mark Twain-in ishte në zhdukje e sipër. Atëherë ishte kulmi i lulëzimit të filozofit të vozës, herë pas here me shkreptima mençurake, dhe gjithmonë me pamje të atillë, por kur lexohen sot, ata ngjajnë të mërzitshmëm. Mua më duket se në përdorimin e personazheve që flasin me dialekt, ka njëfarë pështjellimi në përdorimin e gërmëzimit dredharak, të çuditshëm apo prej të pashkolluari, por që arrin të ngjallë efekt humori. Dua të them që nuk është gjithmonë e qartë nëse shkrimtari do që personazhi i tij të sillet sikur lexon apo shkruan-dhe unë ndiej që deri në çastin që di fort mirë se çfarë po lexoj, mund të shqiptpoj keq. Për shembull, këtu kemi disa nga keqshqiptimet e përdorura në veprat e Petroleum V. Nasby-t: ai shqipton “urë” në vend të “urtë”, “pro” në vend të “po”, “burë” në vend të “burrë”, “birë” në vend të “birrë”.

Shqiptimi në të gjitha rastet nuk është një mjet për të përftuar efektin e humorit, por instrument i nevojshëm për të punuar me materialin, i cili është pashmangshmërisht material humori. Dyshoj nëse popullariteti i gjithçkaje dialektore përftohet dri diku prej ngasjes së lexuesit, duke i dhënë një ndjesi të këndshme epërsie të cilin ai e krijon duke përdorur keqshqiptimin dhe kënaqësinë e zbulimit të vrazhdësisë ose analfabetizmit të dikujt. Kjo nuk është e gjitha, por shpjegon deri diku diçka. Një specialist i letërsisë për fëmijë më ka treguar që fëmijët janë shumë të dhënë pas dialektit. Atyre u pëlqen të luajnë me fjalët. Kur nxjerrin kuptimin e tyre, e shohin këtë si shkëndijë pjekurie, zotësi për të treguar aftësi më të mëdha intelektuale se personazhet që hasin.

Por që të rikthehemi tek Mark Twain-i dhe “volumi i madh, i trashë” që e bëri të ndihej keq: Ka nga ata (vazhdon ai) që thonë se romani duhet të jetë vetëm vepër arti, dhe nuk duhet të predikojë, nuk duhet të edukojë. Kjo mund të jetë e vërtetë për romanet, por nuk është e vërtetë për humorin. Humori nuk duhet të mësojë në mënyrë predikuese, porse duhet t’i bëjë të dyja nëse do të jetojë përgjithmonë. Me përgjithmonë, nënkuptoj tridhjetë vjet. Mu ato gjërat me të cilat predikon, dhe të cilat janë risi kur predikohet për to, mund të pushojnë së qeni risi dhe të kthehen në diçka të zakonshme brenda tridhjetë vjetësh. Atëherë ky predikim nuk i intereson askujt. Unë kam predikuar gjithmonë. Kjo është arsyeja pse vepra ime ka jetuar tridhjetë vjet. Nëse humori vinte pa ftuar dhe pa menduar, gjithmonë i kam gjetur një vend në predikimin tim, por kurrë nuk kam shkruar një predikim vetëm për hir të humorit. Po i them këto gjëra të mjegullta në mënyrë shumë të sinqertë, sepse unë jam një i vdekur që po flet nga varri. Kësisoj zor se i jepet humorit jetë. Mendoj se kurrë nuk bëhemi me të vërtetë vetja jonë e mirëfilltë dhe e plotë derisa të kemi vdekur – jo derisa të kemi qenë të vdekur për vite e vite me radhë. Njerëzit duhet ta nisin nga vdekja për me qenë të ndershme më pas.

Nuk mendoj se do të bija dakord që humori duhet të predikojë që të arrijë të jetojë, duhet thjesht të thotë të vërtetën, dhe shoh se zakonisht e bën këtë. Porse nuk ka kurrfarë dyshimi që njerëzit duhet ta nisin nga vdekja. /Gazeta “ExLibris”/