Diplomon gjenerata e 2-të e programit për ndërmarrësi “Top Class”

Ndërmarrësit dhe menaxherët kaluan me sukses programin një vjeçar Top Class që është i dizajnuar për ndërmarrësit, menaxherët, themeluesit e rinj të ndërmarrjeve dhe u ofron mësim nga praktika dhe rrjetet që u nevojiten për të çuar biznesin e tyre përpara.
Top Class përbëhet ndër të tjera nga këto aktivitete: 10 trajnime praktike të bazuara në shkëmbim të eksperiencave, diskutimeve të hapura dhe të mësuarit nga sukseset dhe gabimet e ndërmarrësve/menaxherëve lokal, rajonal dhe ndërkombëtar, takime me kompani nga vendi, rajoni dhe bota, rrjetëzim në komunitetin biznesor dhe mundësia e ofruar për krijimin e partneritetit.
Po ashtu këshillime nga mentorët/këshilltarët më të mirë nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, si dhe nga menaxherët pjesëmarrës. Qasja ndaj investitorëve si dhe në fondin për investime të SEAF-it, kontakte me projektet e USAID-it si dhe të organizatave dhe donatorëve të tjerë ndërkombëtar. Gjithashtu qasje në Portalin Regjional të CEED-it për informata biznesi dhe rrjetëzim me anëtarët e tjerë të qendrave të CEED-it.
Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekzekutiv (CEED Kosova) e përkrahur nga USAID i përkrah ndërmarrësit, duke ofruar njohuri (know-how) dhe rrjetin e kontakteve, që iu duhet për të rritur biznesin e tyre. CEED Kosova është njëra nga tetë qendrat në regjion me zyre në: Bullgari, Mal të Zi, Maqedoni, Poloni, Rumani, Serbi, Slloveni dhe këtë vit është hapur qendra e re në Shqipëri.
Këtë vit do të pranohen 25 anëtarë të rinj për gjeneratën e 3-të të programit Top Class të dizajnuar për themeluesit e rinj (nën dhe rreth 40 vjet), menaxherë dhe ndërmarrës që janë të interesuar në zgjerimin e biznesit të tyre në vend, regjion, në EU dhe më gjerë.
Pjesëmarrësit duhet të jenë të punësuar ose të kenë kompani e cila mesatarisht tenton të rritet 10% në vit. Afati i fundit për aplikim është 15 tetor 2011. /Telegrafi/

















































