Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë është rritur edhe interesimi i Bashkimit Evropian dhe NATO-s për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht për parandalimin e ndikimit të luftës në Ukrainë në këtë rajon.

Bosnje e Hercegovina është identifikuar si “pika më e ndjeshme”, ku mund të ketë ndikim negativ nga Rusia, sidomos kur merret parasysh kriza e brendshme politike në këtë vend, e cila vazhdon me vite.

Bashkimi Evropian, në shumë dokumente të brendshme, e ka vlerësuar situatën në Bosnje e Hercegovinë si “krizën më të madhe politike pas përfundimit të luftës” së viteve ’90 atje.

Për BE-në, problem paraqet sjellja e Millorad Dodikut, udhëheqës i entitetit serb të Bosnjës, që njihet si Republika Srpska. Dodik flet hapur për shpërbërjen e këtij shteti dhe ka nisur tashmë procesin e bartjes së kompetencave nga niveli shtetëror në atë të entitetit serb.
Por, problem serioz janë edhe raportet mes udhëheqësve politikë të boshnjakëve dhe kroatëve, që përbëjnë entitetin e njohur si Federata e Bosnje e Hercegovinës.

Reklama
Reklama

Kroatët janë ankuar se në shumë raste mbivotohen nga boshnjakët, që janë në numër më të madh, dhe se “u mohohet e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”.

Në këto rrethana, institucionet shtetërore të Bosnjës janë pothuajse të paralizuara me vite.

BE-ja vazhdimisht ka bërë thirrje që të tejkalohen ndasitë dhe të zgjidhen problemet, në mënyrë që Bosnje e Hercegovina të mund të sigurojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Thirrjet tona kanë hasur në veshë të shurdhër. Për fat të keq, nuk kemi arritur t’i bindim liderët politikë që të arrijnë zgjidhje për reformën zgjedhore dhe reformën kushtetuese”, thotë për REL.

Reklama

Ai përmend edhe rastin e fundit të mosmiratimit të buxhetit për financimin e zgjedhjeve, që do të zhvillohen në vjeshtë të këtij viti.

Reklama

“Po të mos ishte vendimi i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, për të caktuar buxhetin për zgjedhje, vështirë se do të ishin siguruar mjetet financiare. Në këtë mënyrë, ka pasur përpjekje që, përmes pengesave për financim, të pengohet edhe zhvillimi i zgjedhjeve”, thotë ky diplomat.

Megjithëse zyrtarët në BE pohojnë se kanë mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e caktuar, pa marrë parasysh dështimin e negociatave për reformën zgjedhore, ata pranojnë se kjo nuk është mirë për shtetin e Bosnjës, sepse, siç thonë, do të vazhdojë të jetë pengesë për të arritur standardet evropiane.

Reklama

Në BE, megjithatë, thonë se “nuk do ta lënë vetëm Bosnje e Hercegovinën” dhe se janë të angazhuar në nivelin më të lartë, për të ndihmuar në arritjen e ndonjë zgjidhjeje, që do ta çonte përpara këtë shtet.

Reklama

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, është angazhuar personalisht në këtë drejtim. Gjatë një vizite në Sarajevë, para dy javësh, ai ka biseduar me liderët e atjeshëm politikë për tejkalimin e krizës politike dhe për reformat që do të ndihmonin në funksionimin normal të shtetit.

Michel ka thirrur në Bruksel liderët e 15 partive politike nga Bosnje e Hercegovina, për një takim më 12 qershor. Me këtë takim thuhet se dëshiron të përcjellë mesazhin se BE-ja është e angazhuar në nivelin më të lartë, për të ndihmuar Bosnje e Hercegovinën.

Reklama

Burimet e BE-së në Bruksel theksojnë se “angazhimi i BE-së mund të ndihmojë, por reformat dhe suksesin mund ta sigurojnë vetëm liderët politikë të Bosnje e Hercegovinës”.

Deri më tash, BE-ja ka qenë e angazhuar për të ndihmuar Bosnjën me reformat zgjedhore, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.
Në emër të BE-së, drejtoresha për Ballkanin nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm, Angelina Einchorst, ka ndërmjetësuar negociatat për reformat zgjedhore, por në fund ka shprehur pakënaqësi për mungesën e rezultateve.

Reklama

“Askush në Ballkanin Perëndimor nuk ka shumë kohë për të humbur. E, më së paku ka Bosnje e Hercegovina”, thotë një diplomat i BE-së, duke shtuar se vetëm Kosova – nga vendet e Ballkanit Perëndimor – është prapa Bosnje e Hercegovinës në procesin e integrimit evropian.

Reklama

Një pengesë e Kosovës është mosnjohja e shtetësisë së saj nga pesë vende anëtare të BE-së, ndërsa Bosnja ka pengesë vetëm situatën e brendshme politike.

Në të gjitha rastet, thonë burimet e BE-së, “nuk do të lejohen përpjekjet për rrezikimin e unitetit, integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnje e Hercegovinës”. Secila zgjidhje e krizës, sipas burimeve në BE, duhet t’i ketë parasysh këta parametra.

Bashkimi Evropian rikujton se Bosnje e Hercegovina ka probleme serioze edhe me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas burimeve në bllok, problemet ndëretnike janë bërë pengesë për zgjidhjen e problemeve të tjera. /rel/

Reklama
Reklama