LAJMI I FUNDIT:

Diplomatëve kosovarë u kthehen pagat siç i kishin para miratimit të Ligjit të pagave

Diplomatëve kosovarë u kthehen pagat siç i kishin para miratimit të Ligjit të pagave

Diplomatët e Kosovës të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës, pagën e muajit më të shkurtër të vitit do ta marrin me rritje. Në kontot e tyre do të derdhen më shumë para si rezultat i zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mbi Ligjin për Paga në sektorin publik.

Në vitin 2023, Kushtetuesja i shpalli të pavlefshëm “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 të këtij ligji, mbi bazën e të cilëve në fakt ishin ulur pagat e anëtarëve të shërbimit të jashtëm.


Aktgjykimi i Kushtetueses ishte përcaktuar të hynte në fuqi më 01.02.2024.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) thonë se i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura të dala nga ky aktgjykim.

“Pagat e diplomatëve të Republikës së Kosovës në Misionet Diplomatike dhe Konsullore këtë muaj do të dalin konform Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”- shkruan në përgjigjen zyrtare të MPJD-së.

Por nga kjo ministri nuk është arritur të mësohet se sa në të vërtetë është paga që përfaqësuesit  diplomatikë do ta marrin tash e tutje. Kallxo.com ka insistuar dy ditë rresht që të marrë një shpjegim rreth kësaj çështjeje, por në MPJD nuk i janë përgjigjur interesimit të medias.

Gjithçka kishte nisur me nenin për shtesat tranzitore në Ligjin për Pagat i cili ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 05.01.2023, ndërsa kishte hyrë në fuqi më 05.02. 2023, nen ky që i kishte përjashtuar anëtarët e shërbimit të jashtëm.

Paragrafët e rrëzuar nga Kushtetuesja e përcaktonin që nëse një zyrtar publik apo funksionar publik para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, do të përfitonte pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë.

Kushtetuesja veproi pas kërkesës të parashtruar nga Avokati i Popullit, institucion që e kishte kontestuar kushtetuteshmërinë e këtij ligji.

Avokati i Popullit në kërkesën e parashtruar në Gjykatë Kushtetuese kishte theksuar që përjashtimi i anëtarëve të shërbimit të jashtëm nga “shtesa tranzitore” i vendos ata në pozitë të pabarabartë me të tjerët që përfitojnë shtesë tranzitore.

Eksperti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Bekë Demiri thotë që shtesa tranzitore në Ligjin e ri ishte zëvendësuar me shtesën për koston e jetesës në varësi nga vendi ku përfaqësuesi diplomatik jeton.

ipas tij, kjo ishte edhe arsyeja se pse anëtarët e shërbimit të jashtëm ishin përjashtuar nga shtesa tranzitore.

“Me ligjin e ri është përcaktuar një pagë bazë për ambasadorin, por varësisht se ku ai vepron është caktuar edhe një shumë shtesë për kosto të jetesës. Kjo ka qenë ideja e përjashtimit nga shtesa tranzitore, për arsye se anëtarëve të shërbimit të jashtëm, të gjithëve ju ka dhënë një ekstra vlerë për kosto te jetesës”, shpjegoi Demiri.

Demiri thotë që anëtarët e shërbimit të jashtëm edhe pse nuk kanë marrë shtesë tranzitore apo retroaktiv, të njëjtit veçse e kanë marrë një shumë tjetër shtesë si kompensim për jetesë.

“Është pak më e komplikuar nga ajo që aktgjykimi e ka thjeshtëzuar, sepse nuk është aq e thjeshtë. Ata kanë marrë shtesë në formë tjetër në kompensim të asaj diference. Jo rastësisht është hequr prej shtesës tranzitore për arsye se është menduar që ata do ta marrin një shtesë tjetër për kosto të jetesës”, sqaron ai.

Me Rregulloren për kompensime, përfaqësuesi diplomatik kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare. Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej 10 për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë, 8 për qind; për fëmijën e tretë, 6 për qind, kurse për katër e më shumë fëmijë llogaritet shtesa prej 5 për qind e pagës mujore.

Në anën tjetër besohet që diplomacia me të vërtetë është e kushtueshme dhe se paga nuk i përthekon shpenzimet që bëhen nga një përfaqësues diplomatik.

Ish-ambasadori në Austri, Blerim Canaj thotë që diplomacia në përgjithësi ka kosto, por të jesh aktiv në diplomaci e ngrit edhe koston.

“Nga përvoja ime e di që në shumë raste, për shkak të këtyre limiteve, ta zëmë për karburante, diplomatët aktiv – janë të detyruar që të fusin edhe buxhetin e tyre privat për çështje pune”, thotë Canaj.

Ai shpjegon se nëse një diplomat dëshiron të kuptojë më shumë një çështje të caktuar dhe ftohet në drekë nga një diplomat tjetër, dhe aty porositin një verë që i tejkalon limitet, atëherë atë verë detyrohet të paguaj vetë diplomati.

“Pra, paga e ulët e diplomatit nuk do të ndikojë vetëm në vet diplomatin, por do të ndikojë edhe në kualitetin e diplomacisë”- thotë ai.

Sipas Ligjit për Paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën e ambasadorit ishte caktuar të jetë 12.8, apo shprehur në para 1 mijë e 344 euro. Të hyrat janë shtuar kur janë llogaritur shtesat e tjera për kompensime.

Ministri në Misionin Diplomatik kishte koeficientin 10.4, që i bie 1 mijë e 92 euro pagë.

Ministri këshilltar në Mision Diplomatik dhe Konsulli i Përgjithshëm kishte koeficientin 9.8, apo 1 mijë e 29 euro pagë. Këshilltari kishte koeficientin 8.4, apo 882 euro pagë.

Konsulli me koeficient 7.6 kishte pagën 798 euro, zëvendëskonsulli me koeficientin 7.2 paguhej 756 euro, ndërsa agjenti konsullor me koeficient 5.8 merrte pagë 609 euro, po aq sa merrte edhe atasheu. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Çfarë përfiton ekonomia e Kosovës me regjistrimin e popullsisë

Çfarë përfiton ekonomia e Kosovës me regjistrimin e popullsisë

Lajme
Arrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet se ka kryer krime lufte në Gjakovë

Arrestohet një serb në Bërnjak, dyshohet se ka kryer krime lufte në Gjakovë

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Ura e Fshajtë e dëmtuar, paraqet rrezik për kalimtarët

Ura e Fshajtë e dëmtuar, paraqet rrezik për kalimtarët

Komunat
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Kalo në kategori