Gjatë gjithë mbrëmjes së 15 korrikut, qytetarët në Turqi, por edhe opinioni publik, institucionet ndërkombëtare, qeveritë e vendeve të ndryshme, ndoqën me vëmendje dhe shqetësim të madh ngjarjet në Turqi, kryesisht në Stamboll dhe në Ankara.

Flitej për një grusht shteti të organizuar nga Ushtria. Në pamjet e filmuara në rrugët e Stambollit dhe të Ankarasë, shiheshin tanke dhe mjete të tjera luftarake, veprime të aviacionit ushtarak, dëgjoheshin të shtëna armësh, kishte bllokime të arterieve kryesore të infrastrukturës rrugore etj. Pra, ishte vërtetë një situatë lufte. Një luftë e veçantë, e paqartë për nga përmasat dhe për synimet e saj.

Edhe deklaratat ishin të ndryshme. Kryeministri Illdirim fliste për një grusht shteti në “tentativë” dhe se “Qeveria e zgjedhur me votat e popullit turk nuk do të bjerë”. Ajo që e bënte më të vërtetë rrezikun e këtij grushti shteti ishte deklarata se “presidenti Erdogan nuk e lë Turqinë dhe se ishte në një vend të sigurt”. Nga ana tjetër, ushtarakët deklaronin se “Qeveria ka rënë, tani pushtetin e kemi ne dhe se çdo gjë do të normalizohet”. Madje flisnin edhe për “mos ndërpreje të marrëdhënieve diplomatike me shtete të tjera”.

Dje në mëngjes, 16 korrik, pati informacione se “grushti i shtetit u shtyp”. Edhe kjo deklaratë nuk dihet sa e vërtetë është.

Sido që të shkojë situata, tentativa për grusht shteti për rrëzimin e Erdoganit është një fakt që duhet të analizohet në thellësi. Në mënyrë të veçantë duhet të kuptohen arsyet që e sollën këtë situatë. Është kjo një tentativë e gjeneralëve, e Ushtrisë, për të marrë hak ndaj Erdoganit, i cili gjatë viteve të tij në krye të Qeverisë dhe tani në Presidencë, ka tentuar ta dobësojë rolin e Ushtrisë në jetën e Turqisë, sidomos të “drejtën” e saj për të mbrojtur shtetin laik në Turqi?!

Gjatë këtyre viteve me dhjetëra kuadro të lartë dhe gjeneralë të ushtrisë turke, me akuza të ndryshme për veprime kundër qeverisë dhe grushte shteti, janë dënuar nga Erdogani. Gjeneralët turq nuk e falin kollaj këtë nëpërkëmbje. Mund të jetë edhe një kurth i vetë Erdoganit, për të dobësuar përfundimisht fuqinë e Ushtrisë dhe të udhëheqjes së saj në punët e shtetit turk. Dhe kështu hapet rruga për të bërë “reformat” që e çojnë shtetin turk drejt statusit të një shteti islamik. Pra, një ISIS të organizuar edhe si shtet me njohje ndërkombëtare.

Nëse ka qenë vërtetë kurth duhet hetuar se përse udhëheqja e Ushtrisë turke, shtabi madhor i saj, gjeneralët, ranë kaq kollaj në këtë lojë, e cila do të shoqërohet edhe me ndëshkime të rënda për shumë prej tyre.

Por, ka edhe një hipotezë tjetër. Grushti i shtetit të jetë nxitur nga qarqe të huaja, jashtë Turqisë, që kërkojnë ta destabilizojnë këtë shtet. Kjo do të ishte një situatë me pasoja katastrofike për rajonin e Lindjes së Mesme, në të cilin Turqia luan një rol të dorës së parë, por edhe për gjithë Evropën, Euroazinë dhe në shkallë globale.

Të gjitha këto hipoteza mund të jenë në themel të këtij grushti shteti, edhe pse të dështuar në Turqi. Por, nëse dështoi këto ditë, mund të ketë sukses në ditët, javët, muajt e vitet e ardhshme. Në kushtet aktuale stabiliteti i Turqisë është një çështje shumë e rëndësishme për gjithë institucionet politikëbërëse në shkallë globale.

Edhe për ne stabiliteti i Turqisë është me rëndësi. Është tjetër gjë se si do t’i zgjidhë Turqia çështjen e laicitetit, çështjen e islamizmit, çështjen e raporteve ushtri-pushtet-civilë dhe tjetër është stabiliteti i saj politik, ekonomik dhe ushtarak. Ne na intereson stabiliteti i këtij shteti, që mund të jetë ose bllokadë për rreziqet e terrorizmit dhe të emigrimit masiv drejt Evropës, ose një portë pa kanata që do të lejojë të hyjnë emigrantë dhe terroristë të panumërt, çka mund ta çojë krizën e Evropës së Bashkuar, në nivele edhe më të rënda, deri në shpërbërje, në defaktorizim të plotë të saj.

Të shohim si do zhvillohen ngjarjet.