LAJMI I FUNDIT:

Dikur qendër e rëndësishme ushtarake për Shqipërinë, sot një gërmadhë

Dikur qendër e rëndësishme ushtarake për Shqipërinë, sot një gërmadhë

Në Elbasan deri vonë kanë ekzistuar një sërë repartesh ushtarake shumë të rëndësishme për të gjithë Shqipërinë. Por me kalimin e viteve sot aty shikon një gërmadhë që vizitohet shpesh nga narkomanët.

Dikur një kurorë e rrethuar me reparte ushtarake. Kurse sot një strehë për narkomanët. Një gërmadhë, shiringa droge e plehra.


Behët fjalë për kodrat e Elbasanit. Ishte një mburojë e rëndësishme edhe për kryeqytetin. Aty ishte komanda të rëndësishme, brigade tankesh, reparte të artilerisë së rëndë,  reparte të xhenios, të kimisë, komanda mbështetëse, depo të rëndësishme municionesh e pajisjesh luftarake. Në kufi me Cërrikun ishte edhe një pistë avionësh. Reparti dhe komanda në Krastë ishin nga më të rëndësishmet. Ajo rezistoi deri vonë, edhe pas ndryshimeve demokratike në vend.

Në 1997, aty u vendosën forcat franceze dhe daneze në kuadër të operacionit “Alba”. Ishte funksionale edhe pas largimit të tyre. Por kjo qytezë ushtarake me pas e humbi rëndësinë edhe për shkak të reformave që ndodhën tek Forcat e Armatosura.

Ka patur disa projekte për transformimin e saj si një qendër e rëndësishme për  Elbasanin. Në fillim u mendua të ngrihej një stadium, qendra rinore dhe sportive. Më pas u hodh ideja e ngritjes së një qendre spitalore madje dhe me pistë helikopteresh deri kur ne vitin 2011 ku me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Në të njëjtin vendim citohet se  sipas planvendosjes të hiqen nga lista e inventarit të pronave paluajtshme shtetërore dhe se dorëzimi i mjediseve dhe truallit  funksional i këtyre  pronave do të bëhej pas transferimit të Komandës së Mbështetjes Rajonale dhe pas heqjes së materialeve e të pajisjeve të Forcave të Armatosura.  Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ia japë në përdorim të tretëve.

Kanë kaluar 8 vjet nga ajo kohë dhe asgjë nuk  bë. Reparti ushtarak në Krastë të Elbasanit u kthye në një gërmadhë  madje edhe në një problem shqetësues për komunitetin. Edhe pse ekzistojnë vendime dhe akte ligjore për transformimin e saj  në një destinacion të rëndësishëm për qytetin, ende nuk dihet se ku ka mbetur  dhe kush e pengon këtë proces./Abc News Albania

Video