Një stallë me bagëti është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, në fshatin Çërravë të Pogradecit.

Zjarri ka shkaktuar humbje të konsiderueshme edhe në gjënë e gjallë, raporton euronews.al.


Sipas pronarit të stallës, Agjërim Kapa, më shumë se 170 dele janë djegur të gjalla, duke e përshkruar dëmin si të jashtëzakonshëm, raporton euronews.al.

Fatmirësisht, nuk raportohet për lëndime njerëzore.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet për një shkëndijë elektrike ose pakujdesi.

Ndërkohë, Emergjencat Civile të Bashkisë Pogradec pritet të kryejnë vlerësimin e plotë të dëmeve dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për familjen e prekur nga kjo fatkeqësi.