LAJMI I FUNDIT:

Diçka që nuk arrij ta kuptoj

Diçka që nuk arrij ta kuptoj

Nga: Elona Caslli

Mund të mirëkuptoj situatën kur një prind mbron të pambrojtshmen tek fëmija e tij. A është e shëndetshme ta mbrosh të pambrojtshmen tek fëmija yt?! Aspak, por dashuria të shtyn ndonjëherë ta humbasësh logjikën e ftohtë për fëmijën dhe të justifikosh edhe të pajustifikueshmen tek ky i fundit.


Mund ta mirëkuptoj kur mbrohet e pambrojtshmja edhe tek vëllai, motra, babai apo nëna.

Me pak fjalë, sado i mbrapshtë qoftë dikush që e duam, orvatemi ta justifikojmë kur dikush e kritikon. A është e drejtë kjo?! Aspak, por sikundër e thashë më sipër, dashuria shpesh na bën të dobët në arsyetim.

Të mbrosh katrahurën që po ndodh në qendër të Tiranës me të njëjtin fanatizëm që do të mbroje një njeri të shpirtit që ka bërë një faj, ky është një fakt që nuk arrij ta kuptoj.

Nuk arrij ta kuptoj sepse shkatërrimi nuk ka parti. Shkatërrimi mbetet shkatërrim si ta kryejë një i majtë, si ta kryejë një i djathtë dhe në rastin konkret bazohet veçse tek ndërhyrja e përdhunshme në një qendër historike.

Dhe kushdo që e mbron këtë shkatërrim më risjell ndërmend një batutë të një filmi shqiptar ku nëna e këshillon të birin si më poshtë:

Dëgjo, nënën tënde, edhe mund ta gënjesh, por Partinë kurrë nuk duhet ta gënjesh.

Mesa duket nënat që kanë mëkuar me gji mbrojtësit e sotshëm të këtij shkatërrimi, kanë vazhduar t’u japin të njëjtat këshilla bijve dhe nipërve përkatës, për sa kohë Partia është në një stol me familjarin dhe sipas këshillës së nënës dhe një vend sipër tij.

Post Scriptum: Partia ime më shkatërron, Partia ime më dënon dhe unë nuk revoltohem se ma bën Partia ime!