Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli ka thënë se asgjë e re nuk po ndodhë në bisedimet me Serbinë, as në qasje, as në përmbajtje e as në kohëzgjatjen e tyre.

Tërmkolli në një deklaratë për Telegrafin tha se SHBA ende nuk ka emëruar një emisar special për bisedimet Kosovë- Serbi dhe derisa SHBA nuk e merr rolin aktiv prijës në këtë proces, ne do të sillemi e mbështillemi kështu pa fund, për në askund.

Lexoni të plotë deklaratën:

“Prapë, bisedime “pa krye”

Qeveria e re me shumë premtime e “kauza” për ndryshime, por asgjë e re në bisedimet me Serbinë, as në qasje, as në përmbajtje, as në kohëzgjatjen e tyre.

Përveç disa deklaratave fillestare që jepnin shenja për një pozicionim politik më të fuqishëm, gjithçka tjetër shëmbëllen në përsëritjen e veprimeve të këqia të qeverive të kaluara.

Modeli i bisedimeve “teknike” është konsumuar kaherë. Si pasojë e këtij modeli, trajtimi i çështjeve të veçanta në bisedime, për të ardhë eventualisht te ndonjë marrëveshje finale, ka dështuar si përmbajtje dhe na ka humbur dhjetë vite kohë. Me dëme të mëdha për funksionimin e shtetit tonë dhe sovranitetin e vendit.

Qasja në bisedime duhet të jetë direkt për marrëveshje finale me njohje reciproke përfshirë edhe elemente tjera të domosdoshme dhe brenda një periudhe të afatizuar.

Nuk na duhet një dështim tjetër, me pasoja edhe më të mëdha, edhe në substancë edhe në kohë.

Mbase edhe për BE-në dhe SHBA-të, nuk është “momenti” për qasje më serioze për një marrëveshje finale.

Në BE shtetet më të fuqishme po hyjnë në procese zgjedhore këtë vit dhe vitin tjetër, derisa Kosova veç është në proces zgjedhor komunal, e zgjedhje parashihen pas disa muajsh edhe në Serbi.

SHBA ende nuk ka emëruar një emisar special për bisedimet Kosovë- Serbi dhe derisa SHBA nuk e merr rolin aktiv prijës në këtë proces, ne do të sillemi e mbështillemi kështu pa fund, për në askund. /Telegrafi/