LAJMI I FUNDIT:

Dhuna

Dhuna

Nga: Jorge Majfud
Përktheu: Bajram Karabolli

Përgjithësisht, filozofët kanë qenë krijesa tolerante, por jo ndjekësit e tyre. Për luftën gjithmonë nevojitet një lloj çmendurie dhe harrese për çfarë luftohet. Ama, në fakt, barbaritë në Gea (Tokë) nisin me një të vërtetë të përligjur fort nga ndonjë fjalim.


Qysh në shekullin XI, poeti, skeptiku dhe pijetari i zellshëm pers, Omar Ibn Khajam, kishte shkruar një këshillë që më vonë u harrua në mënyrën më të suksesshme: “Përpiqu që i afërmi yt të mos vuaj prej urtësisë tënde”.

Në të gjitha luftërat, të vërtetat që i nxitin ato janë përherë spektatore të thjeshta të krimeve, të cilat i kryejnë ndjekësit e tyre. Për shembull, gjatë Luftës së Ftohtë, një nga sentencat drejtuese thoshte: “Qëllimi justifikon mjetin”. Dhe mjetet për të dy qëllimet dihet që ishin tragjikisht të njëjta. Viktimat e Vietnamit apo të Pragës i provuan njëlloj: torturat dhe vdekjen. Në çastet më të ashpra të luftës, si për ushtarin edhe për guerilasin, më i qartë është objektivi ideologjik sesa vetë suksesi i betejës. Kjo gjë, që është aq e arsyeshme në një betejë apo në një ndeshje shahu, bëhet absurde kur konfuzioni është i prirë për t’u përjetësuar. Atëherë qëllimet lihen në harresë për t’u përdorur vetëm mjetet.

Gnesologjia nuk këshillon përdorimin e forcës për të demonstruar idetë. Lakmia për të imponuar idetë me forcë është një ndjenjë e zakonshme dhe kalimi i saj në një akt dyfish të papërgjegjshëm, sepse idetë zakonisht janë të gjymtuara apo të gabuara, duke qenë se lindin në një organizëm të programuar për të dështuar pa paralajmërim; dhe sepse dhuna është një përvojë përfundimtare. Përkundrazi, “principet” janë më të besueshme. Po ashtu për arsye tjetër të dyfishtë: sepse, sipas përkufizimit, janë më të thjeshta dhe më të qarta; dhe sepse lindin në një organizëm, i cili kur mbetet lajmëron: zemra.