LAJMI I FUNDIT:

Dhëmbët enigmatikë të dukatit

Dhëmbët enigmatikë të dukatit
Ilustrim

Aza ishte mbushur dyshim se burri i saj do të martohet për të tretën herë, krejt me të shtime të ortakes së saj.

– U bë budalla burri prej kur e mori gruan e dytë. Më nuk u ba rahat nga sehiret. Për dhjetë vjet, kjo ortakja nuk ka lënë kujt pa i thënë se i kanë bërë sehire për të mos lindur fëmijë. Për habi, Azën dhe Rrodhëzën që ishin ortake, askush nuk i kishte dëgjuar ndonjëherë që të jenë grapcuar mes tyre as edhe me një fjalë. Kush mendonte për grushtin e dukatit të Lapit? Askush! Bile krejt gratë e mëhallës i xhelozonin dy gratë ortake pse ato punonin e nuk iu dëgjohej zëri as në shpi as në ara. Grushtit me dukat kishte mbetur enigmë. Zakonisht rrallë përdorej si mesele duke ua ndryshuar vendin fjalëve. Herë thoshin grushti i dukatit, herë grushti me dukat e herë-herë grushti i praruar i Lapit.


Edhe pas njëzet vjet martese, Aza kurrë nuk e kishte harruar kohën kur e kërkonin mesitët nga të katër anët, hala pa i mbushur dymbëdhjetë vjet.

Në atë moshë, sa herë që vinte dikush mysafir në shtëpinë e tyre, ajo përvidhej nga dhoma ku gatuhej buka dhe shkonte afër derës së odës për të dëgjuar kush çka po flet. Ai Zihani, jarani i moçëm i Lapit ishte fejua e martua para Lapit. Ish kon ba pelim Lapi qysh u fejua e u martua përpara tij jarani besnik. Menjëherë pastaj, bash ky Zihani nga Mirusha ishte bërë sebep që Lapi ta kërkonte për nuse Azën. Kishin thënë është vajza e re fort, e Lapi i ka ba goxha do vjet. Ishte nja dhjetë vjet para Azës. Ani çka thoshin të tjerët?! Ky e pret edhe pak. Çika rritet sahora. Ashtu, Aza pa i bërë pesëmbëdhjetë vjet, u bë nuse. Lapi pat bërë dasmë të madhe me dy tupana e me treqind krushq.

E Aza, si Aza! Duke pritur ortaken e dytë, po plakej duke u lëvduar që ishte më e bukura ndër shoqe.

Kur e kishte dëgjua me vesh vet Aza se po e kërkon Lapi për nuse, kish filluar të interesohej aq shumë, sa gjithë dita i shkonte duke menduar për djalin dhe familjen e tij. Mendonte sa është i pasur Lapi? A ka nënë e babë? A ka shumë tokë? A ka shumë gja? Kur kishte dëgjuar se Lapit i ka vdekur nëna herët, dhe ai nuk ka as vëlla as motër, Aza ishte gëzue tepër akoma pa fejuar. Kishte mësuar se Lapi ishte rritur veç me babanë. Kishte menduar Aza vet me veti, sa mirë që nuk paska nënë, dhe i kishte shkuar mendja që bash ai qenka djalë për të. Po pastaj kishte kuptuar se Lapi ka shumë ara, ka shumë dele e dhi. Mban edhe një kali. Hala pa fejuar mendonte gjithçka për Lapin. Vet Aza ishte rritur në një familje me shumë fëmijë. Kishte pesë motra e tre vëllezër. Gjithë koha i kishte shkuar me lojna. As që i kishte shkuar mendja për të parë të ëmën si gatuan apo si i mjel gjanë. Puna e thurjes së çorapeve , nuk iu kishte dëftuar as në ëndërr. Pse kur të behet nuse duhet me gatua vet bukën, nuk e kishte bërë asnjëherë.

Një ditë Zihani ia kishte mbushur mendjen Lapit që ta kërkonte bash Azën për nuse. Ashtu kishte ndodhur, dhe Aza ishte fejua me Lapin.

Pas njëzetë vjetësh, kur e kishte kuptuar se Lapit iu ka mbushur mendja për të marr edhe një grua, të tretën me radhë, Aza gati ishte shashstrisur, por kur mendonte si ka kaluar me Lapin këto vite, nuk merrte dot guxim t’ia thoshte as edhe një fjalë.

Sa herë shikohej në pasqyrë, sa herë i shihte dhëmbët e dukatit në gojë, i kujtohej çasti kur pat mbetur pa dhëmbë nga grushti i Lapit.

Sa kohë që ishte çikë, Aza nuk kishte punuar kurrë një punë. Kur u martua i ra hise të gatuante, pa i mbushë dy javë nuse. Pa kaluar një muaj, iu desh të behej edhe baçicë- filloi mjeljen e deleve.

Nga puna, i doli gjuha si gjarprit!

Duke dëgjuar gjithë ato fjalë, Lapit iu kishte sosur durimi. Nuk kishte menduar fare dhe një ditë ia kishte përplasur Azës një grusht të fortë, duke ia thyer gjithë dhëmbët e parë.

Burrë e grua kishin menduar si ta fshehin këtë fatkeqësi. Si ta shihnin njerëzit ashtu pa dhëmbë, kur hala ishte nuse? Punën e grushtit, burrë e grua e mbajtën  fshehtë për aq kohë sa zgjati mjekimi. Aza ndenji në gjini, larg gojëkëqijve derisa u shërua.

Atë ditë që kishte shkua Lapi për ta marr, Aza i kishte thënë se pa i ngjitë krejt dhëmbët e dukatit, ma nuk kthehet në shtëpinë e burrit. Asokohe Aza ishte edhe shtatzënë. Lapi e kishte kuptuar këtë me kohë dhe nuk bëri asnjë leçe. Shiti gjithçka që pati për të shitur dhe pagoi mjekun për t’ia bërë Azës krejt dhëmbët e dukatit. Krejt gratë e fshatit flisnin si nuk po kthehet nusja e Lapit të burri? Disa prej tyre mendonin mos e ka lëshuar Lapi nusen? Kur u kthye nga gjinia, krejt shoqet e mëhallës shkuan për ta parë. As që kishin dëgjuar një fjalë për grushtin e Lapit, por kishte dal fjala se ai nga dashuria që kishte për nusen, ia ka ngjitë të shoqes të gjithë dhëmbët e dukatit.

Sa herë qeshej Aza, i vezullonte goja mbushur me dhëmbë dukati. Askush nuk pyeste si kishte ndodhur puna, por gratë e mëhallës filluan ta xhelozojnë sa  bukur që dukej. Sa herë e fliste apo buzëqeshte Aza me gojën plot dukat, gratë mbesnin pa fjalë nga inati. Sa shumë po e do të shoqen Lapi, thoshin të gjitha. Krisi e zeza për burrat tjerë të katundit. Kush llaf nuk e bëri kurrë punën e grushtit.

Me kalimin e kohës, dikush me mesele thoshte: Sa i fort që është Lapi. Ia mbushi gojën gruas me një grusht dukat. Hallall i koftë! Dikush e zbuste pak meselenë duke u tallur se ku mund ta ketë gjetur Lapi atë grusht plot dukat?

Burrat e Zezës, njëri pas tjetrit, patën apo nuk patën lekë, filluan t’i dërgojnë gratë të mjeku i dhëmbëve. Nuk mbeti edhe një prej tyre që nuk e veshi me dukat së paku një dhëmb. Shumë prej grave veshën nga dy, tre e katër dhëmbë me dukat. Disa prej tyre i vishnin nga dy dhëmbë në të dy anët e gojës.

Sa herë bëheshin bashkë, gratë qeshnin me njëfarë rendi, sipas numrit të dhëmbëve të dukatit. Ajo që kishte vesh me ari vetëm një dhëmb, zakonisht qeshej e para sepse e dinte që vezullima e dhëmbëve të të tjerave do jetë më e madhe. Mund të qeshnin të gjitha ndopak, por vetëm kur aty nuk ishte Aza. Kur hapte gojën Aza, të tjerat ulnin kokën duke mbyllur gojën. Nuk e krahasonin dot veten me Azën, aq më pak me buzëqeshjen e saj krejt dukat. Derisa gara për të veshur ndonjë dhëmb me dukat vazhdonte, Lapi kishte vendosur të martohej për të tretën herë. (sic.)