Dështimi më i madh i ditës së fundit - Marc Guehi do të qëndrojë te Crystal Palace, Liverpooli mbetet duarthatë

Megjithëse ishte raportuar se Marc Guehi do të transferohej te Liverpooli në ditën e fundit të afatit kalimtar, sipas David Ornstein, mbrojtësi 25-vjeçar i kombëtares angleze pritet të qëndrojë te Crystal Palace.
Guehi kishte përfunduar pjesën më të madhe të vizitave mjekësore, dhe mes klubeve ishte rënë dakord për një shumë prej 41 milionë euro. Gjithashtu, ishin dakordësuar kushtet personale për një kontratë pesëvjeçare deri në vitin 2030.
Trajneri kryesor i Crystal Palace, Oliver Glasner, ka qenë i prerë kundër largimit të Guehi këtë verë, duke theksuar se mbrojtësi nuk mund të shitej nëse nuk gjendej një zëvendësues i përshtatshëm.
Edhe Fabrizio Romano po ashtu e konfirmon që marrëveshja ka kolapsuar dhe Guehi do të qëndrojë te Palace.
Crystal Palace arriti të siguronte transferimin e adoleshentit Jaydee Canvot nga Toulouse para afatit të së hënës në orën 19:00, por marrëveshja për Igor Julio, i ndjekur gjithashtu nga West Ham United, nuk u finalizua.
Edhe pse Liverpooli kishte dorëzuar dokumentet për të përfunduar transferimin, Guehi pritet të qëndrojë në Crystal Palace për pjesën e mbetur të sezonit.
Kontrata e tij skadon në fund të sezonit, dhe nëse nuk rinovohet, ai do të mund të largohet si transferim i lirë, pa asnjë tarifë për klubin londinez. /Telegrafi/





















































