LAJMI I FUNDIT:

Dërguti – ITU-së: Mos lejoni përzierjen e Serbisë në kodin telefonik të Kosovës (Dokument)

Dërguti – ITU-së: Mos lejoni përzierjen e Serbisë në kodin telefonik të Kosovës (Dokument)

Këto ditë Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, i është adresuar përmes një letre Sekretarit të Përgjithshëm të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikimeve (ITU), në lidhje me kodin e ri telefonik që Kosovës do t’i ndahet.

Në letrën që KosovaPress ka siguruar, i kërkohet ITU-së që të jetë e kujdesshme në dhënien e kodit telefonik për Kosovën, duke mos e bërë atë përmes ndarjes frekuencore për vendin tonë nga Republika e Serbisë.


Dërguti në këtë adresim i sqaron Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucionit që ai udhëheq (ITU), se deri tash opinionit në Kosovë dhe as deputetëve të Kuvendit nuk i është thënë fakti se kodi do të ndahet në bazë të “kodeve gjeografike” të caktuara nga Serbia, e cila më pas ndan kodin për “krahinën e saj, Kosovën”.

Deputetja Aida Dërguti në letrën e saj ndërlidh faktin se Serbia është përgatitur për këtë skenar, dhe kjo nuk duhet të lejohet nga ITU. “Serbia përdorë një autoritet të tillë për të diktuar politikën e telekomunikacionit, funksionet rregullative dhe operacionale në sektorin e telekomunikacionit të Republikës së Kosovës, të tilla si licencimi, kodet, interkoneksionet, tarifat, etj Kjo është një tjetër arsye pse kodet ndërkombëtare duhet të caktohen nga ITU direkt në Republikën e Kosovës dhe jo të Serbisë”, thuhet ndër të tjera në letrën që Dërguti ka dërguar në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm.

Letra është e nënshkruar nga vetë Dërguti, e cila deri më sot, sipas burimeve të KosovaPress, ende nuk ka marr përgjigje nga ky adresim

KosovaPress ju sjell më poshtë adresimin origjinal të letrës dërguar SP-së nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.
“I nderuari z. Sekretar i Përgjithshëm,

Po ju shkruaj për t’ju sjellë shqetësimet [tona] që kanë të bëjnë me zgjidhjen e një procesit të gjatë të kodit telefonik ndërkombëtar për Republikën e Kosovës.

(1) Është thënë së një proces është duke u zhvilluar për caktimin nga ana e ITU-së e kodeve ndërkombëtare për shërbimet telefonike për vendin tonë.

Ajo çfarë publikut në vendit tonë nuk iu është thënë është fakti se këto do të jenë “kode gjeografike” të caktuara për Republikën e Serbisë, e që do të ndahen më tej nga Serbia, për një shtet të cilin Serbia e konsideron të jetë krahinë e saj në Kosovë.

Nismëtarët e këtij procesi kanë kaluar nëpër vështirësi të mëdha për të fshehur këto fakte nga publiku, ndër të tjera, duke përfshirë BE-në dhe Administratën austriake. Nga ajo që është bërë publike, është e qartë se qëllimi i tyre është që të përdorin edhe ITU-në, duke i përshkruar njoftimet ITU-së dhe njoftimet tjera lidhur me këtë proces. Unë shpresoj dhe pres që ITU do të refuzojë të jetë pjesë e këtij komploti për të mashtruar popullin e Republikës së Kosovës dhe do të reflektojë të vërtetën në të gjitha dokument et dhe njoftimet që lidhen me këtë proces.

(2) Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës, ose më shumë se gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia jo vetëm që nuk e njeh Kosovën, por kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës si territor të vetë. Vetëm ky fakt s’kualifikon Serbinë për të pasur ndonjë rol në caktimin e numrave ndërkombëtarë për shërbimet telefonike për Republikën e Kosovës. Duke pranuar rolin e Serbisë në këtë proces, në mënyrë të pashmangshme do të interpretohet së ITU ka pranuar qëndrimin e Serbisë në lidhje me Republikën e Kosovës. Ne besojmë se në asnjë mënyrë ky është qëllimi ITU-së dhe prandaj ITU duhet të caktojë kodet ndërkombëtare drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.

(3) Pasojat e përfshirjes së Serbisë në këtë proces mund të shihet më së miri në “Planin e Zbatimit” për këto kode: (http://eeas.europa.eu/statements-eeas/docs/facilitateddialogue/150825_02-joint-action-plan telekomi en pdf).

Ky dokument tregon qartë çmimin e rëndë që Republika e Kosovës do të paguajë për shkak se Serbisë i është dhënë autoriteti për të caktuar kodet e lëshuara nga ITU.

Serbia përdorë një autoritet të tillë për të diktuar politikën e telekomunikacionit, funksionet rregullative dhe operacionale në sektorin e telekomunikacionit të Republikës së Kosovës, të tilla si licencimi, kodet, interkoneksionet, tarifat, etj Kjo është një tjetër arsye pse kodet ndërkombëtare duhet të caktohen nga ITU direkt në Republikën e Kosovës dhe jo të Serbisë. Nëse qëllimet e vërteta për të zgjidhur çështjen e kodeve të vendit ekzistojnë, atëherë ky nuk duhet të jetë problem. Por, në qoftë se Serbia ka një tjetër agjendë, p.sh. për ta minuar sovranitetin e vendit fqinj, atëherë ne shpresojmë dhe presim që ITU do të refuzojë të jenë pjesë e saj.

(4) Në dokumentet e bëra publike deri tani, është propozuar përdorimi i një emërtimi jo kushtetues për vendin tonë në të gjitha dokumentet e ITU-së dhe njoftimet lidhur me këtë proces. Ne shpresojmë dhe presim që ITU nuk do të pranojë një propozim të tillë, sepse kjo do të thotë se ITU pranon qëndrimin e Serbisë në lidhje me Republikën e Kosovës.

(5) Për shkak të gjithë asaj çka është thënë më lartë, ekziston një kundërshtim i fortë publik për qasjen karshi caktimit të kodit telefonik ndërkombëtar për vendin tonë, i shprehur, ndër të tjera, në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 200 mijë qytetarë. Në emër të tyre dhe në emër të 30 anëtarëve të parlamentit, unë jam duke i ngritur këto shqetësime para jush, me shpresën se ITU do t’i marrë ato në konsideratë.

Unë ju falënderoj për kohën tuaj dhe mirëkuptimin, i nderuari zoti Sekretar i Përgjithshëm.

Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës”. /KosovaPress/Telegrafi/

unnamed (1)

unnamed