LAJMI I FUNDIT:

Kadrijaj pyet Kurtin: Pse nuk është lejuar konvoji me ndihma nga Shqipëria të hyjë në Kosovë pas vërshimeve

Kadrijaj pyet Kurtin: Pse nuk është lejuar konvoji me ndihma nga Shqipëria të hyjë në Kosovë pas vërshimeve
Time Kadrijaj

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka folur për gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve të vendit si dhe për siç tha ndihmën që nuk iu është ofruar ende nga Qeveria e Kosovës, komunave të prekura nga përmbytjet e fundit. 

Kadrijaj gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se edhe pse qytetarët janë në gjendje të rëndë ekonomike, Qeveria e Kosovës po ua “ndihmon” edhe më shumë me rritjen e tatimit në pronë.


Deputetja e AAK-së kërkoi sqarime nga Qeveria e Kosovës se çfarë është bërë deri më sot për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve të vendit të cilët janë prekur nga përmbytjet e fundit.

“Këto ditët e fundit në vend ndodhën edhe vërshime. Por më së shumti që ndodhën ishte në komunën e Skenderajt. A ishte në nivel të detyrës Qeveria e Kosovës, kur e vizitoi Skenderajn dhe sa është përkrahja e qeverisë për këtë komunë? Shumë qytetarë në këtë të ftohtë kanë mbetur në qiell të hapur. A e ka zgjat dorën qeveria për t’i ndihmuar këta qytetarë? Kjo kryeministër nuk është e drejtë”, ka thënë ajo.

Kadrijaj u shpreh se në ato komuna ku nuk qeverisë LVV-ja, Kurtit nuk i intereson për qytetarët.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës kishte kërkuar ndihmë nga Shqipëria, por sipas saj më pas nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë.

Ajo pyeti kryeministrin Kurti se pse nuk është lejuar ndihma nga Shqipëria.

“Qeveria e Kosovës i ka bërë një kërkesë Shqipërisë që të ndihmoj Kosovën, dhe ne kemi pa që janë nis kolona të gjata me njerëz që janë nis e kanë dashur të ndihmojnë në Skenderaj, për situatën e krijuar nga vërshimet. Pse kryeministër u ndal kolona me ndihma nga Shqipëria dhe nuk është lejuar të hyj në Kosovë? Cili ishte qëllimi i ndalimit të konvojit të Shqipërisë për të ju ndihmuar qytetarëve në Kosovë? ”, ka pyetur kryeministrin e vendit, deputetja e AAK-së. /Telegrafi/