LAJMI I FUNDIT:

Përfundon seanca, të mërkurën takimi konsultativ

Përfundon seanca, të mërkurën takimi konsultativ

E plotësuar: Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci përfundoi seancën pas debatit të deputetëve për gjendjen aktuale në vend, ndërsa njoftoi se të mërkurën në ora 10:00 do të mbahet edhe një takim konsultativ në përpjekje për t’i dhënë një rast PAN-it të kthehet në Kuvend.

Mikullovci ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare  të marrin pjesë në takimin konsultativ të së mërkurës për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve, e që do të jetë takimi i fundit i tillë konsultativ.


Ndryshe, në seancën e sotme nuk ishin të pranishëm deputetët e koalicionit PAN dhe minoritetet.

Deputetët e PAN injoruan seancën e sodit me arsyetimin se nuk janë konsultuar për këtë seancë, por deputetët e Vetëvendosjes dhe LAA-së theksuan se me këtë PAN po blen vetëm kohë pasi nuk i ka numrat për formimin e institucioneve.

Selimi fton PAN-in që të vijë në seancë, thotë se nuk kanë kohë për të humbur

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se kanë kaluar dy muaj nga zgjedhjet, dhe se qytetarët e kanë përcaktuar ndryshimin me votën e tyre dhe ky ndryshim tash po shihet nga kush po bllokohet.

Selimi u ka bërë thirrje kolegëve deputetë nga koalicioni PAN, që të vijnë në seancë konstituive.

“Kolegët tanë deputet duhet të vijnë në seancë. Nuk kemi kohë për të humbur, nuk kemi para për të humbur, kemi shumë punë për të bërë”, ka thënë Selimi.

Ai ka porositur që të mos bllokohet themelimi i institucioneve të Kosovës.

Mikullovci: Rregullorja nuk na lejon t’i zgjedhim ndaras nënkryetarët

E plotësuar: Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka propozuar që të zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit, pasi kanë të drejtë t’i kenë nga një nënkryetar, por propozimin e tij e ka hedhur poshtë kryesuesi, pasi një gjë të tillë nuk ia lejon rregullorja e Kuvendit.

Gashi tha se duhet të përçojnë mesazhe se çfarë shoqërie po ndërtojnë.

Ai tha se gjuha që përdorim duhet të ajo që bashkon e jo krijimit të konflikteve. Sipas tij, PAN ka të drejtën për të propozuar një kandidat për kryetar porse nuk e kanë të drejtën për ta bllokuar krijimin e institucioneve.

Ai personalisht propozoi që të zgjedhin nënkryetarët pasi kanë të drejtë t’i kenë nga një nënkryetar.

Por kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullvci ka sqaruar se rregullorja e kuvendit parasheh që kryetari dhe nënkryetarët mundet të zgjedhen në një pako

Gashi jep propozimin si të dilet nga kriza

E plotësuar: Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka dënuar mosardhjen e koalicionit PAN në seancë por edhe gjuhën e përdorur nga deputetët.Ai tha se deputetët duhet të jenë të kujdesshëm për gjuhën që përdorin.

“Gjuha që përdorim ne duhet të jetë e kujdesshme. Elementi kryesor që na bashkon këtu është se jemi përfaqësues të popullit”, tha ai.

Gashi tha se duhet të gjendet një zgjidhje ose të shkohet edhe në zgjedhje.

Deputeti propozoi që të pa koalicionin PAN t’i zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit.

“Ata që nuk vinë në Kuvend kanë humbur sensin, por ata se kanë të drejtën e bllokimit të institucioneve. Duhet të vinë dhe ta propozojnë kandidatin sepse jemi në situatë të bllokuar dhe duhet të gjejmë një zgjidhje. Duhet t’i zgjedhim nënkryetarët dhe të vazhdojmë”, tha ai.

Tahiri, Krasniqit: Komandantët kanë gjithmonë guxim, mos i fyej të gjithë

E plotësuar: Deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri i ka replikuar deputetit të VV-së, Frashër Krasniqi i cili tha se koalicioni i krimit, që ia mbajnë vendit si të guximshëm si komandanta, nuk kanë guxim të vijnë në Kuvend.

“Komandantët kanë gjithmonë guxim, dhe po të mos ishin ata komandant as z.Mikullovci nuk do të ishte sot këtu ta fliste gjuhën shqipe. Mos i përfshijë të gjithë me një vend. Është e rëndë me i fy të gjithë komandantët e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Krasniqi: Haradinaj i gatshëm t’i bie në gjunj kriminelit Ukë Rugova

E plotësuar: Deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi i ka quajtur të paguximshëm koalicionin PAN me mos pjesëmarrjen e tyre në seancë.

Ai tha se mbahen për komandantë por po frikësohen të vijnë në seancë.

Sipas tij, Haradinaj thoshte se merret me sporte të rënda e tash është fshehur.

Sipas Krasniqit, Haradinaj është i gatshëm t’i bie në gjunj Listës Serbe dhe kriminelit ordiner Ukë Rugovës për të ruajtur edhe nja dy vjet krimin e vet.

Mikullovci do të mbajë edhe një takim konsultativ, tentativa e fundit për t’ia mundësuar PAN-it pjesëmarrjen në seancë

E plotësuar: Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka thënë se të mërkurën do të mbajë edhe një takim konsultativ me koalicionin PAN.

Mikullovci ka thënë se kjo do të jetë hera e fundit që do të mbajë një takim të tillë me PAN-in.

“Ata kanë kërkuar që të mbahet edhe një takim konsultativ. Unë do të shkoj në atë takim të mërkurën në orën 10:00 me një pikë të vetme të rendit të ditës se kur ata janë të gatshëm të vijnë në seancë”, ka thënë Mikullovci.

Mikullovci ka theksuar se ky takim do të mbahet edhe nëse Vetëvendosje dhe koalicioni LAA nuk marrin pjesë.

Kusari-Lila: Ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Deputetja nga radhët e koalicionit LAA, Mimoza Kusari-Lila tha sot se kriza politike po i kushton Kosovës me humbje të mëdha.

Ajo tha se ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve tjera, të jashtëzakonshme.

Mimoza Kusari-Lila tha se nuk duhet të vazhdojë thellimi i krizës që po bie mbi qytetarët e vendit.

Hoti: Të mbahet edhe një takim konsultativ

E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar i LAA-së, Avdullah Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se është fyerje për qytetarët e Kosovës mungesa e kuorumit në Kuvend.

Ai tha se është hera e pestë që ftohet seanca dhe kanë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar të marrin pjesë në seancë, ndërsa deputetët e PAN-it vazhdojnë të mos jenë të pranishëm.

Hoti, ka propozuar një tryezë me partitë politike që të diskutojnë se si t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Hoti kërkoi nga kryesuesi Mikullovci kërkoi të ftojë edhe një takim konsultativ me të vetmen pikë të rendit të ditës mbajtjen e seancës, e në mënyrë që të merr pjesë edhe PAN-i.

Konjufca: Halli i PAN-it është mungesa e numrave

E plotësuar: Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se PAN-i nuk po merr pjesë në seancën të cilën e ka thirrur vetë.

Konjufca ka theksuar se presidenti Hashim Thaçi është vënë në shërbim të koalicionit PAN.

“Thaçi është kryekëput në shërbim të koalicionit PAN. Është vënë në funksion të krijimit të qeverisë së ardhshme nga koalicioni PAN”, ka thënë Konjufca, shkruan Telegrafi.

Shefi i GP-së të Vetëvendosjes, më tej theksoi se halli i koalicionit PAN është mungesa e numrave.

Konjufca ka theksuar se krijimi i institucioneve të Kosovës ka dy zgjidhje: “T’i ketë 81 vota në krye me VV-në ose 59 vota në krye me PDK-në”.

Vazhdon seanca, s’ka kuorum

E plotësuar: Deputetët janë kthyer në seancën e Kuvendit të Kosovës, pas pauzës dhënë nga kryesuesi Adem Mikullovci.

Mikullovci tha se edhe pse në mungesë të kuorumit do të hapë një debat për të folur rreth situatës aktuale që gjendet vendi.

Kuvendi shkon në pauzë 15 minutëshe, mungojnë PAN-i dhe minoritetet

E plotësuar: Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci ka dhënë 15 minuta pauzë në mungesë të kuorumit. Në seancë mungojnë deputetët e PAN-it dhe minoritetet, ndërsa të pranishëm ishin vetëm 55 deputetë. Në seancë nuk ka marrë pjesë as deputeti i PAN-it, Milaim Zeka i cili në seancat e kaluara ishte i pranishëm.

Fillon seanca, PAN dhe minoritetet serbë nuk marrin pjesë (Live)

E plotësuar: Ka filluar të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, por në seancë nuk po marrin pjesë deputetët e PAN-it.

Deputetët fillojnë të hyjnë në Kuvend, PAN nuk merr pjesë në seancë

Tashmë deputetë të Kuvendit kanë filluar të hyjnë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, ndërkaq deputetët e PAN-it kanë paralajmëruar sërish se do ta bojkotojnë.

Raportohet se në seancë nuk do jenë as deputetët serbë pasi ndodhen në Serbi, në një takim me Marko Gjuriq.

Seanca e cila pritet të fillojë në ora 10:00 do të udhëhiqet nga kryesuesi, deputeti më i moshuar i përbërjes së re parlamentare Adem Mikullovci.

Ndryshe, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ka thënë se seanca e së hënës sotme do të zhvillohet me apo pa koalicionin PAN.

Ai thotë se shpreson se ky i fundit do t’i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje në seancë. /Telegrafi/