LAJMI I FUNDIT:

Dënohet me 5 vjet burgim pasi grabiti në një pompë të derivateve në Gjakovë

Dënohet me 5 vjet burgim pasi grabiti në një pompë të derivateve në Gjakovë
Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 5 vjet burg dhe 1000 euro gjobë të pandehurin me inicialet F.Z, i cili akuzohet për grabitje.

Sipas njoftimit, i njëjti akuzohet se me datën 27 tetor 2018 rreth orës 03:00, ka grabitur 300 euro në një pompë të derivateve të naftës në fshatin Kramovik të Gjakovës, në bashkëkryerje me dy persona të tjerë.


“I pandehuri F.Z., akuzohet se me datën 27 tetor 2018 rreth orës 03:00, në pompën e derivateve  të naftës “A. P.” në fshatin Kramovik, në bashkëkryerje me të akuzuarit A. A. dhe Sh. Ll. të pajisur  me armë zjarri dhe atë pushkë automatike AK-47 dhe revole, të maskuar shkojnë në pompën e  derivateve të naftës “A. P.”, futen brenda në lokalin e pompës, fillimisht i pandehuri Sh. i pajisur  me armë AK-47 më pas i pandehuri F. me një pistoletë dhe nën kërcenim e këtyre armëve i  detyrojnë të dëmtuarit Sh. K. dhe R. S., punëtor në pompë që të shtrihen në tokë gjersa gjatë kësaj  kohe të pandehurit nga arka marrin të holla të gatshme prej treqind (300) euro si dhe rreth  njëqind (100) boksa cigare të llojeve të ndryshme e më pas largohen me shpejtësi nga vendi i  ngjarjes në drejtim të një pylli ku ndodhej duke i pritur i pandehuri A. A.”, thuhet në komunikatën për media.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar./Telegrafi/