LAJMI I FUNDIT:

Demhasaj: Kurti ka ndryshuar të gjitha parimet sa i përket dialogut me Serbinë

Demhasaj: Kurti ka ndryshuar të gjitha parimet sa i përket dialogut me Serbinë

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka ndryshuar shumë qëndrimet rreth dialogut me Serbinë.

Demhasaj në “Debat Plus” tha se të gjitha qëndrimet e Kurtit sa ishte në opozitë tashmë janë shkelur nga ai vet, duke hequr dorë nga shumë parime.


“Ka elemente të vërteta të ndryshimit të qëndrimit të Kurtit sa i përket dialogut. Të gjithë e dimë se Kurti sa ishte në opozitë ka qenë kundër negociatave. Madje parimi i parë i LVV ka qenë ‘Jo Negociata Vetëvendosje’. Pastaj ka qenë premtimi se do të dialogojmë me serbët lokalë dhe nuk do të dialogojmë me Serbinë. Edhe kjo ka rënë poshtë. Pastaj ka qenë premtim i Kurtit që nuk do të ulemi në tryezë me Vuçiqin pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë. Edhe kjo është shkel. Tjetra ka qenë Bashkimi Kombëtar që më nuk po përmendet. Dhe e fundit reciprociteti dhe kjo ende nuk ka ndodh. Pra të gjitha parimet e Kurtit për dialogun kanë ndryshuar. Sot të gjitha ato kanë rënë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Madje Demhasaj ka dal edhe kundër Deklaratës së Paqes të propozuar nga kryeministri Albin Kurti në Bruksel.

Ai thotë se nuk beson që mund t’i shkojë dikujt në mend në serbi të sulmojë Kosovën derisa NATO të jetë në Kosovë

“Nuk kemi nevojë për marrëveshje të paqes sepse nuk rrezikohemi prej Serbisë. Sa të është rezoluta 1244 dhe NATO nuk ka rrezik nga Serbia. Sepse Serbia nuk pranon përsëri të futet në luftë me NATO-n”, tha Demhasaj.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Çohu!, thotë se edhe nëse do të nënshkruhej ajo pika e Kurtit, askush nuk garanton se Serbia nuk sulmon Kosovën.

Demhasaj thotë se nuk është në rregull të bisedohet me Vuçiqin për të kaluarën e shekujve të kaluar, e të anashkalohet lufta e fundit./Telegrafi/