LAJMI I FUNDIT:

Dëmet që kriza politike ia shkaktoi ekonomisë

Dëmet që kriza politike ia shkaktoi ekonomisë

Situata jostabile politike që e ka përcjellë Kosovën për vite me radhë, konsiderohet t’i ketë shkaktuar dëme të mëdha e të pariparueshme ekonomisë së vendit. Mospërfundimi i mandatit kushtetues katërvjeçar i pothuajse asnjë legjislature në Kosovë, bëri që shumë projekte kapitale të ndërpriten, si dhe të mos realizohen programet qeveritare në fushën e ekonomisë.

Në zgjedhje të parakohshme parlamentare Kosova do të shkojë edhe në qershor të këtij viti, pasi që mocioni i mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, i ngritur nga partitë opozitare, u votua nga shumica e deputeteve ditë më parë.


Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve flasin për një numër të konsiderueshëm të projekteve, të cilat dështuan nga e gjithë kjo situatë politike. Projekti më kapital që nuk arriti të realizohet për shkak të mandateve të ndërprera, por edhe ndryshimeve që i pësonte vit pas viti, është Termocentrali “Kosova e re”, pasuar nga shumë projekte të tjera.

“Kur krejt kësaj i shtohet fakti që shumë procese janë duke u politizuar më tepër sesa duke u ekonomizuar, vërtet kjo Kosovën e bën shtet që do ta ketë shumë të vështirë të rimëkëmbet në aspektin ekonomik”, thekson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Stabiliteti politik, nga ekspertë të fushës së ekonomisë, konsiderohet si një nga faktorët kryesorë për qëndrueshmëri ekonomike, inkurajimin e vendeve të reja të punës dhe rritje permanente të Bruto-Produktit të Brendshëm (BPB). Por, jostabiliteti politik, i cili për vite me radhë e ka përcjell Kosovën, sipas ekspertit të ekonomisë, është sinjal dekurajues – mbi të gjitha për investitorët e jashtëm.

Zgjedhjet e parakohshme, sipas Naim Gashit, po u bëjnë dëm ecurive makroekonomike.

“Si shembull mund ta marrim vitin 2014 kur Kosova kishte krizë politike dhe ishte viti me rritjen më të ulët ekonomike gjatë dekadës së fundit, me vetëm 1.2 për qind. Kurse, vitin e kaluar e kishim katër për qind. Ky është një fakt i pamohueshëm se zgjedhjet e njëpasnjëshme, përplasjet politike në mes pozitës dhe opozitës, po dërgojnë sinjale dekurajuese tek investitorët e jashtëm dhe po neglizhojnë fillimin e projekteve të mëdha, siç ishte Brezovica, kontraktimi për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ etj.”, vlerëson Gashi.

Në vitin 2014, kur Kosova ishte në krizë politike, investimet e huaja në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk kanë qenë më shumë se 151 milionë, por shënuan ngritje një vit pas në 320 milionë euro. Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e re”, i cili kishte filluar të përgatitet si projekt që nga viti 2005, nuk arriti të realizohet për shkak të këtyre ngjarjeve që ndodhin në skenën politike.

Gashi thotë se projektet e mëdha strategjike është e pamundur të fillojnë dhe të përfundojnë brenda një mandati qeverisës, por ato si projekte duhet të vazhdohen dhe të zhvillohen.

Sidoqoftë, për njohësin e rrethanave ekonomike në Kosovë, Ismail Kastrati, dëmet më të mëdha që po i bëhen ekonomisë së Kosovës vijnë nga niveli i lartë i korrupsionit dhe mosfunksionimi i mirëfilltë i drejtësisë. Ngjashëm, mendon edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj. Ndaj, për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safer Gërxhaliu, Kosova nuk ka ‘luks’ të mbajë zgjedhje kaq të shpeshta.

Sipas llogaritjeve, vlerësohet se për një palë zgjedhje parlamentare në Kosovë, buxheti shpenzon deri në 10 milionë euro. /REL/