LAJMI I FUNDIT:

Dëllinja – diuretiku më i mirë natyror

Dëllinja – diuretiku më i mirë natyror

Dëllinja është bimë shumë shëruese e cila rritet në zonat shkëmbore dhe karstike, nga zonat bregdetare e deri tek ato malore. Ua shpalosim veçoritë shëruese të kësaj bime të mrekullueshme.

Kjo bimë është shëruese nga rrënja deri te fruta, por, megjithatë, më së shumti përdoren frutat, të cilat vilen në pjesën e dytë të verës e deri në vjeshtën e vonshme, në varësi nga zona.

Frutat mund edhe të thahen, dhe kështu mund të përdoren gjatë gjithë vitit.


Dëllinja dhe veçoritë e saj shëruese

Veçoritë shëruese të dëllinjës njihen që nga lashtësia, ndërsa me siguri ka edhe prej jush që ndonjëherë ju ka rastisur të keni përjetuar që dikush u ka ofruar raki të dëllinjës me arsyetimin që është “ilaç për shpirt”, dhe nuk ka qenë larg nga e vërteta.

Frutat e saj më së shumti përdoren te problemet me stomak dhe problemet me kanalet urinare dhe shihet si një nga diuretikët më të mirë natyrorë.

Mund të përdoret edhe si mjet dezinfektues për plagët, ndërsa ndihmon edhe kollitjen, për çka më së shumti ndihmojnë vajrat eterike nga kokrrat e dëllinjës, të cilat mund të përdoren edhe për masazh tek dhimbjet reumatike.

Për ngërçet e stomakut përzini pjesë të barabarta të dëllinjës, pelinit, barpezmit dhe kamomilit dhe në dy-tri lugë të kësaj përzierjeje shtoni 2-3 filxhanë me ujë të vluar, lëreni të qëndrojë 10 minuta, kullojeni dhe pini pa sheqer.

Për kokëdhimbje, frutat e dëllinjës bëni në formë pureje dhe vëni si kompresë në vendin që dhemb.

Tek problemet me mëlçinë ose stomakun në mëngjes në stomak të zbrazët merrni nga 3-5 fruta të dëllinjës dhe përtypni mirë.

Për përmirësimin e apetitit zieni komposton nga frutat e dëllinjës, shtoni sheqer dhe konsumoni sipas nevojës.

Herën tjetër kur dikush ju ofron dëllinjë kurrsesi mos e refuzoni. /Telegrafi/