Deklaratat kundërthënëse të Mustafës (Video)

Mes tjerash, Mustafa ka bërë një deklaratë të ngjashme me një politikan ksenofob hungarez, kur ka përmendur se ata që po ikin nga Kosova po e bëjnë këtë me modelet më të reja të IPhone-it.
Që në ditën e parë të marrjes së pushtetit të vërtetë, Isa Mustafa është përkujdesur t’i kthejë përgjigje me tone inati e hakmarrjeje për secilin që e ka akuzuar ose kritikuar.
Vjosa Osmanit dhe të tjerëve që nuk e votuan aleancën e tij me PDK-në e Thaçit, ua tha në fjalimin inaugurues se nuk do t’ua bëjë hallall.
Kriza e parë e madhe i ndodhi me ministrin Aleksandar Jablanoviq, i cili i quajti egërsira nënat gjakovare që nuk i lanë pelegrinët serbë të hyjnë në një manastir në Gjakovë.
Nënat që nuk dinë ende gjë për trupat e djemve të tyre morën përkrahje dhe solidaritet kudo në Kosovë, por Isa Mustafa u tha të mos e bëjnë këtë punë të madhe.
Pohoi se edhe ai ka familjarë të zhdukur në shekujt XIX e XX.
Kur foli për largimin e njerëzve nga Kosova, u tha të mos e bënin, e të rrinin të punonin në Kosovë, ani pse punë nuk u premtoi se do t’u gjejë.
Por, mbase deklarata më e rëndë kur pohoi se ata që po ikin po e bëjnë këtë me modelet më të reja të IPhone-ëve, që sipas tij është luks. Këtu Mustafa u barazua me një politikan ksenofob të ekstremit të djathë në Hungari.
Laszlo Torockai, kryetar i fshatit Asotthalom, ku kosovarët hyjnë ilegalisht, kishte thënë se ata po vijnë deri aty me smartphone që banorët lokalë vetëm mund t’i ëndërrojnë.
Në po të njëjtën temë, gazetarët e pyetën nëse ndjehej përgjegjës për vdekjen e një qytetareje dyvjeçare të Kosovës në Hungari. Tha se për këtë duhej të mendonin prindërit e saj.
Familja Mustafa nga Begunca e Vitisë jetonte në kushte të mjerueshme dhe banorët e fshatit kishin mbledhur disa herë para për ta ndihmuar babanë e Arzës për mbijetesë. Mësohet se përveç Arzës që kishte Syndrominn Down, edhe një tjetër fëmijë i familjes është i sëmurë dhe kryefamiljari kishte ikur me shpresën për të gjetur shërim për fëmijët jashtë vendit, transmeton koha.net.
Kryeministri Mustafa ka pasur kundërakuza edhe për AAK-në, e për Vetëvendosjen ka thënë se dëshiron ta marrë pushtetin me dhunë.
Memoria i është fshirë vetëm për PDK-në, me të cilën e ka krijuar Qeverinë në kundërshtim me përkushtimin e mëparshëm publik. /KTV/








































