LAJMI I FUNDIT:

Dëgjohet sërish shpërthim në veri të Mitrovicës

Dëgjohet sërish shpërthim në veri të Mitrovicës

Një shpërthim është dëgjuar në pjesën veriore të Mitrovicës këtë të premte, rreth orës 22:00.

Raportohet se shpërthimi është dëgjuar afër Spitalit në Mitrovicën e Veriut.


Besim Hoti, zv/komandant i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut ka konfirmuar për Telegrafin se bëhet fjalë për shpërthim piroteknik.

“Bëhet fjalë për shpërthim piroteknik. Nuk ka të lënduar e as dëme materiale”, është shprehur Hoti.

Ndryshe, Policia e Kosovës që nga e marta është duke u përballur me sulme të vazhdueshme nga persona të panjohur në pjesën veriore, ku po bëhen përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash.

Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës.

Në një njoftim të policisë thuhet se sulmi ka ndodhur reth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore. /Telegrafi/