Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për reduktime të përkohshme në furnizimin me ujë të pijshëm, si pasojë e një defekti në gypin kryesor me diametër Ø1200 mm në zonën e Shkabajt.

Sipas njoftimit, ndërprerjet do të zgjasin nga ora 11:00 deri në orën 17:00 dhe do të prekin komunën e Fushë Kosovës, Obiliqin, si dhe një pjesë të Prishtinës që furnizohet nga kjo linjë, përfshirë lagjen Kalabria.


Po ashtu, bëhet e ditur se ndikime në furnizim mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

Nga KRU “Prishtina” thuhet se ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit normal me ujë.

Kompania ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për shqetësimet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe.