LAJMI I FUNDIT:

Dante, poeti i të gjitha kohëve

Dante, poeti i të gjitha kohëve

Nga: Gladiola Jorbus

Emri i Dante Aligerit (Durante di Alighieri) është i lidhur pazgjidhshmërisht me atë të ‘Komedisë Hyjnore’, vepra që përligji hyrjen e tij në Panteonin e poetëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në këtë kryevepër, Dante shfaqet i lidhur me qytetin e tij, Firencen, pjesëmarrës në jetën social-politike dhe një letrar i vëmendshëm ndaj risive kulturore.

Ky tekst vazhdon të studiohet ende në të gjithë botën, si një kryevepër e gjuhës italiane dhe dëshmi e qytetërimit mesjetar. Për të kuptuar thellësisht mendimin poetik të Dante Alighierit, duhet studiuar jeta e tij, situatat politike dhe sentimentale që përjetoi.

Dante lindi në Firence në vitin 1265. Ishte i biri i Alighiero di Bellinciones dhe Donna Bella degli Abatit. Gjyshi nga babai ka qenë pjesëtar i fraksionit së guelfëve, ndërsa gjyshi nga nëna, prej të cilit mori emrin dhe poeti, dyshohet të ketë qenë gjykatësi fiorentin Durante degli Abati.

Biografi më i famshëm i Dantes, Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio) rrëfen një ndodhi familjare. Nënës së Dantes, gjatë shtatzënësisë iu shfaq në ëndërr djali i saj i lindur nën një dafinë, pranë një burimi. Pasi lindi, djali nisi të ushqehej me barërat e këqija që binin nga pema dhe e shuajti etjen në një burim, derisa u shndërrua në pallua. Kjo ëndërr profetike interpretohet si një ogur i lavdisë së ardhshme poetike të Dantes.

Fatkeqësisht Dante e humbi nënën rreth moshës 5-6 vjeçare dhe i ati u martua sërish. Duhet nënvizuar faktin se familja e tij i përkiste fisnikërisë së vogël dhe nuk gëzonte ndonjë pasuri apo kapital të madh ekonomik.

Pavarësisht madhështisë së tij poetike, betejave politike apo origjinës fisnike, jeta e Dantes nuk ka qenë e qetë. Rinia e Dantes kaloi nën flamurin e jetës shoqërore Firence. Ai mori një arsimim të mirë, përpos problemeve ekonomike, dhe shoqërohej me Brunetto Latinin, gjithsesi një miqësi e konsideruar jo dhe aq efektive. Mendohet se Brunetto nuk ishte më shumë se një bashkëbisedues i mirë për Danten, pra nuk ka influencuar vizionin e tij për botën apo poezinë.

Nëse do të veçonim një ngjarje mbresëlënëse dhe me peshë për poetin e mirënjohur fiorentin, pa diskutim që ajo do të ishte takimi me Beatriçen, një grua rreth së cilës dihet shumë pak, pavarësisht rolit të saj në ekzistencën njerëzore dhe artistike të Dantes. Ai e takoi për herë të parë Beatriçen kur ishte ende fëmijë. Shumë vjet më vonë, kur vajza e re e përshëndeti në Firence, jeta e Dantes mori një kthesë të rëndësishme, aq sa ankthi shqetësues dhe vdekja e parakohshme e Beatriçes shënjuan një pikë kyçe, me vlerë të trefishtë në jetën e autorit të ‘Komedisë Hyjnore’: personale, njerëzore dhe poetike.

Dante filloi të shkruante poezi rreth moshës njëzet vjeçare, por ai nuk e fitoi vëmendjen e menjëhershme të intelektualëve të kohës së tij. Poeti i ri bëri një sërë përpjekjesh për të qenë pjesë e elitës së kohës, ndër të tjera duke u dërguar letra aktorëve të rëndësishëm socialë. Ai dëshironte medoemos të bëhej i njohur.

Sidoqoftë, falë këtyre letrave, Dante arriti të njihte njeriun e parë, me të cilin do të lidhte një miqësi letrare e intelektuale: Kalvakantin (Guido Cavalcantin) që e konsideroi një talent Danten dhe kjo shënoi fillimin e miqësisë së tyre.

Poezitë e para të Dantes nxjerrin në pah ndikimin e guitonizmit (kritikët diskutojnë për një shkollë guitoniane, të kundërshtuar në fund të shekullit të trembëdhjetë me një poetikë më të afërt me trashëgiminë provansale, që do të çonte më vonë në stilnovizëm), praninë e temave të dashurisë dhe shijen për teknikën, ndonëse ende jo plotësisht organike. Vepra e parë themelore e Dantes është “Jeta e re’ “ë të cilën figura e Beatriçes shfaqet përmes një shëmbëlltyre të jetës dhe të vdekjes, konceptualisht e ngjashme me historinë e shenjtorëve. Në këtë vepër Dante merret vazhdimisht me temën e dashurisë, nën optikën simbolike mesjetare, ku mbizotëronte ideja se gjithmonë kishte nivele të ndryshme të interpretimit: niveli i drejtpërdrejtë, niveli metaforik, niveli moral, niveli shpirtëror. Gruaja për Danten, në këtë vepër, është një ndërmjetës, një simbol dhe bartëse e cilësive hyjnore midis njeriut dhe Zotit.

Në vitin 1290, Dante filloi studimet filozofike të cilat do ta ndikojnë në mënyrë vendimtare në veprat e tij ‘De vulgari eloquentia’, ‘Monarkia’ dhe në shumë pasazhe të ‘Komedisë Hyjnore’. Ai gjithashtu lexoi disa libra të Aristotelit dhe të Ciceronit.

Një nga librat që impresionoi vëmendjen e Dantes, si shumë autorë të tjerë mesjetarë të lidhur me kulturën pagane romake, ishte ‘De consolatione filosofiae’ i Severino Boezios. Dante është një mendimtar i madh dhe tematikat e thella hetuese përsëriten tek ai. Njohja e filozofisë do ta çojë atë drejt një përkushtimi tjetër ndaj shoqërisë civile dhe gjuhës. Që nga ky moment, ngarkesa etiko-morale e shfaqur te Dante e nxiti atë të përqafonte angazhimet e rëndësishme politike dhe kulturore.  Sidoqoftë, në këtë periudhë arrin në kërkesa të reja gjuhësore: eksperimenton në zhanre të ndryshme letrare, duke filluar nga eklogu latin (përbërje lirike e poezisë klasike greke dhe latine, me një temë baritore, shpesh alegorike, në formë dialoguese ose monodike) deri te shkrimet e letrave të cilat, në Mesjetë, ishin një zhanër letrar tepër i kodifikuar.

Filozofia është një element i përligjur në veprën e Dantes. Mjafton të themi se nga pesë veprat, duke marrë parasysh edhe dy traktatet e papërfunduara, tri janë vepra filozofike pothuajse në kuptimin e ngushtë të fjalës. Filozofia e Dantes konsiderohet simbol i një dashurie të aftë për të shpëtuar njerëzimin.

Po risjell në vëmendje që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare ai humbi dhe të atin. Dhe, pikërisht 18 vjeç (në orën nëntë, nëntë vjet më vonë), ai pa Beatriçen për të dytën herë në jetën e tij, me një fustan të bardhë. Ajo e përshëndeti me mirësi. Ky ishte një çast vendimtar për Danten.

Dante, apriori cilësohet një figurë me rëndësi të padiskutueshme në letërsinë italiane, duke qenë se vepra e tij ka spikatur për vlera artistike, bukuri dhe përsosje.

“Komedia Hyjnore” është kurorëzuar si vepra më e rëndësishme e letërsisë italiane, që përmban një vizion filozofik të krishterë të fatit të përjetshëm të njeriut. Madje, duhet thënë se vetë Dante e krijoi gjuhën letrare italiane, pasi ishte i pari që e përdori në një mënyrë të pasur dhe të gjerë. Në tekstet e tij pasqyrohen të gjitha personazhet e Mesjetës, në një sintetizim të jashtëzakonshëm.

Dante hedh poshtë idenë sipas së cilës poezia i nënshtrohet filozofisë, në kuptimin që filozofia është mbretëresha e formave të dijes, ndërsa poezia është gjithmonë një formë vartëse e dijes sepse është përfaqësuese dhe si e tillë ndërfutet midis subjektit dhe objektit, duke e shndërruar njohurinë dhe duke i dhënë asaj një rëndësi të dorës së dytë. Ai pohon se poezia ka aftësinë për të kapur thelbin e hyjnores përmes intuitës: meqenëse intuita e vendos të vërtetën para njeriut, në përsosmërinë e saj.

Në të njëjtën mënyrë përtërihet edhe figura e gruas engjëllore (Beatriçes) në konceptimin e Dantes. Ajo nuk dallon më veç për bukurinë e jashtme, por poeti i vesh virtytin e fisnikërisë së brendshme, gjë që e bën atë të ngjashme me Zotin, duke i dhënë kështu asaj, aftësinë për të ngritur shpirtërisht të gjithë ata që e duan.

Për sa i përket përvojave politike, ai u zgjodh Priore (Kryetar) i Firences dhe gjatë ushtrimit të detyrës, qyteti u nda në dy fraksione, guelfët e zinj dhe të bardhë. Në Firence ky (priore) ishte emri origjinal i Palazzo della Signoria. Mandati zgjaste dy muaj dhe Dante qeverisi Bashkinë e Firences në periudhën 15 qershor deri më 15 gusht 1300. Ai mbështeti guelfët e bardhë të cilët shqetësoheshin për lirinë e Firences, ndërsa të zinjtë favorizonin politikën e Papa Bonafacit VIII. Kur guelfët e zinj udhëhoqën Firencen, Dante u dënua me internim dhe u akuzua për korrupsion. Fillimisht, ai shpresoi të kthehej në atdhe, por pas përpjekjes së dështuar për t’u kthyer me forcë, Dante hoqi dorë. Largimi nga Firencja e tij e dashur, qyteti për të cilin ai do të ishte gati të jepte dhe jetën, ishte jashtëzakonisht e dhimbshme për poetin.

Ai vdiq në Ravena në vitin 1321. /Telegrafi/