LAJMI I FUNDIT:

Danev: Kemi kredibilitet për të kërkuar votat e shqiptarëve

Danev: Kemi kredibilitet për të kërkuar votat e shqiptarëve

Deputeti i OBRM-PDUKM-së Dragan Danev thotë se 35 mijë amendamentet nuk janë kundër gjuhës shqipe, por kundër mënyrës anti-kushtetuese të miratimit të Ligjit të gjuhëve.

Në një intervistë për TV Shenja, ai theksoi se ata nuk kanë për qëllim as t’i hakmerren BDI-së për amendamentet e tyre kundër “Ligjit për Branitellat” të deponuara në vitin 2012, dhe as ta bllokojnë ligjin, por të njëjtin ta përmirësojnë dhe të avancojnë edhe për të drejtat e bashkësive të tjera etnike.


“Nëse tërhiqni paralele me situatën kur Talat Xhaferi prezantoi mijëra amandamente, mendoj se krahasimi nuk është në vend. Ne, absolutisht, për shkaqe pragmatike dhe praktike kemi prezantuar këto 36 mijë amandamente. Para se t’i paraqisnim këto amandamente, si parti, tri herë radhazi dërguam thirrje publike gjer tek shumica parlamentare për tërheqje të ligjit, për të formuar një grup të përbashkët ekspertësh me të gjitha partitë politike relevante dhe të sillet një ligj, i cili njëkohësisht do t’i afirmojë, apo do ti promovojë të drejtat gjuhësore të grupeve etnike, e nëse doni më saktë, të bashkësisë etnike shqiptare, por edhe do të jetë në kuadrot e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, tha Danev.

Ai më tej shtoi se është i bindur se ky veprim i tyre nuk do ta dëmtojë imazhin e OBRM-PDUKM-së para elektoratit shqiptar dhe theksoi se personalisht ai dhe grupi parlamentar i partisë së tij kanë raporte të mira me të gjithë deputetët shqiptar dhe të gjitha subjektet shqiptare.