LAJMI I FUNDIT:

Dalin pamje të reja të xhandarmërisë serbe në Karaçevë, kërkohet intervenimi i KFOR-it dhe institucioneve qendrore të Kosovës

Dalin pamje të reja të xhandarmërisë serbe në Karaçevë, kërkohet intervenimi i KFOR-it dhe institucioneve qendrore të Kosovës

Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli ka publikuar pamje të reja ku shihen xhandarmëria serbe duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Surdulli ka bërë apel tek institucionet e Kosovës dhe KFOR-in, që të ndërmarrin masa që këto veprime të mos përsëriten.


Sipas tij kjo ka ndikuar shumë në popullatën e kësaj zone, duke bërë që edhe qytetarën e zonës kufitare të shpërngulen nga aty.

“Sot, më 07.08.2020, rreth ores 18,05 një kolonë e ushtrisë së Serbisë të shoqëruar me disa qenë përsëri erdhën nga mali e anës së Serbisë kaluan nëpër rrugën e lagjës tonë të Bernjashëve dhe ranë teposht ende më fellë të territorit të Republikës së Kosovës. Ky veprim i hyrjes së ushtrisë serbe ne këtë pjesë të territorit të Kosovës me keqardhje po vazhdon edhe pas 20 viteve të çlirimit jo të plotë të Kosovës. Apelojmë te KFOR-i si dhe institucionet e Kosovës të marrin masa adekuate që mos të përsëriten këto veprime të ushtrisë serbe, sepse ka ndikuar dhe po ndikon përveç në shqetësimin po ashtu edhe në shpërnguljen e qytetarëve të zonës kufitare të Karaçevës”, shkruan Surdulli.

Vjen reagimi i Qëndron Kastratit: Hyrja e militarëve të armatosur serbë në Karaçevë, provokim dhe terrorizim i qytetarëve të kësaj zone
Lexo po ashtu Vjen reagimi i Qëndron Kastratit: Hyrja e militarëve të armatosur serbë në Karaçevë, provokim dhe terrorizim i qytetarëve të kësaj zone

Për një veprim të tillë të xhandarmërisë serbe ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ai ka thënë se institucionet e sigurisë së Kosovës, duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës

“Sot rreth orës 17:00, xhandarmëria serbe është futur rreth 1 km në brendësi të territorit të Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë, Komuna e Kamenicës. Kamerat e sigurisë kanë kapur 11 pjesëtarë të uniformuar dhe të armatosur që kanë kaluar nëpër parkingun e Restaurant “Oxygen” që është pronë e Adhurim Krasniqit. Institucionet e sigurisë së Kosovës, duhet të veprojnë urgjentisht për të mbrojtur qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Për herë të parë xhandarmëria serbe patrullon lirshëm në lagje të Karaçevës. Pamjet janë marrë nga restorani “Oksigjen” në Karaçevë”, shkruan Bajqinovci.

Ndryshe, banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës janë shprehur tejet të brengosur, për faktin se nëpër parkingun e një restoranti të këtij fshati janë parë dhe filmuar pjesëtarët e xhandarmerisë serbe duke kaluar.

Shqetësohen banorët e Karaçevës, xhandarmeria serbe filmohet nga kamerat e sigurisë duke kaluar në parkingun e një restoranti
Lexo po ashtu Shqetësohen banorët e Karaçevës, xhandarmeria serbe filmohet nga kamerat e sigurisë duke kaluar në parkingun e një restoranti

Madje ata theksojnë se ngjarja është filmuar një kilometër në brendësi të territorit të Kosovës, më saktësisht në parkingun e restorantit “Oxygen”, ku pronari i lokalit Adhurim Krasniqi, ka publikuar pamjet e këtij momenti, transmeton Telegrafi.

Sipas Krasniqit, xhandarmeria serbe që u kap nga kamerat e sigurisë të lokalit të tij, kishte tendencë destabilizimi duke kaluar pranë pronës së tij, duke i bërë thirrje institucioneve të marrin masa./Telegrafi/