LAJMI I FUNDIT:

Dakordimi Kosovë-BE për shtensionimin e veriut, grushtet në Kuvend e diplomimi i 419 policëve të rinj – top lajmet e javës

Dakordimi Kosovë-BE për shtensionimin e veriut, grushtet në Kuvend e diplomimi i 419 policëve të rinj – top lajmet e javës

Pas disa javësh nga situata e tensionuar në veri të vendit, javën që po lëmë pas Qeveria e Kosovës ra dakord me Bashkimin Evropian në disa pika për shtensionimin në veri.

Dakordimi Kosovë-BE erdhi në një takim joformal të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në Bratislavë.


Po javën që po lëmë, saktësisht të enjten Kuvendi i Kosovës ishte arenë e sulmeve, në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministrave.

Ndërkaq, të premten shtetit iu shtuan edhe 419 policë të rinj, ku në ceremoninë e diplomimit të tyre morën pjesë familjarë e krerë të shtetit.

Bien dakord Kosova dhe BE për shtensionimin e situatës, u tërhoq 25 për qind e policëve nga objektet komunale në veri

Qeveria e Kosovës një ditë pas dakordimit me BE-në për uljen e tensioneve në veri të Kosovës ka zbardhur katër pikat për depërshkallëzim të situatës.

Në një njoftim për media Qeveria njoftoi se fokusi kryesor i takimit nё Bratislavë me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars.

Zvogëlimi i pranisë së policisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës në veri (Dokument)
Lexo po ashtu Zvogëlimi i pranisë së policisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja, marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës në veri (Dokument)

Nё kёtё kontekst qeveria thotë se janë dakorduar për katër pika:

“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

“BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”.

Qeveria kishte bërë të ditur se veprimet e sipërpërmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore, ndërkaq tashmë është tërhequr 25 për qind e policëve nga objektet komunale.

E shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur pajtimin mes bllokut evropian dhe Kosovës për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, shkroi Borrell në Twitter, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.

Më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja arritën pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit. Megjithatë, ato u bën publike një ditë më pas.

Debate të ashpra e përleshje fizike në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës të enjten ishte “arenë e luftimeve”.

Në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit për situatën në veri dhe marrëveshjen me Bashkimin Evropian për de-eskalimin e situatës, një përleshje fizike ndodhi mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të qeverisë Kurti.

Krejt kjo erdhi pas kritikave, akuzave për përfshirjen e shefes së LVV-së në audio-incizime me Sllavko Simiq nga Lista Serbe.

Situata u tensionua dhe eskaloi kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i gjuajti me ujë, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi me shishe.

Video e plotë ku shihet skena e rrahjes në Kuvendin e Kosovës mes PDK-së dhe LVV-së
Lexo po ashtu Video e plotë ku shihet skena e rrahjes në Kuvendin e Kosovës mes PDK-së dhe LVV-së

Pavarësisht situatës së tensionuar në Kuvend, pas 3 orë pauze vazhdoi seanca dhe kryetari Glauk Konjufca pranoi kërkesën e PDK-së që të largojë nga seanca Besnik Bislimin.

Nga akuzat dhe fyerjet deri te rrahja - gjithçka që ndodhi në Kuvend
Lexo po ashtu Nga akuzat dhe fyerjet deri te rrahja - gjithçka që ndodhi në Kuvend

Kuvendi më pas miratoi disa projektligje.

E deri më tani për situatën në Kuvend, me ftesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë intervistuar dy anëtarë kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Po ashtu është intervistuar edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Policia e Kosovës bëhet me 419 policë të rinj

Të premten u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës.

Policisë së shtetit iu shtuan edhe 419 policë, gjersa pjesëmarrës në ceremoni ishin edhe krerët e shtetit.

Mes familjarëve e krerëve të shtetit, diplomojnë 419 policë të rinj - pamje nga ceremonia
Lexo po ashtu Mes familjarëve e krerëve të shtetit, diplomojnë 419 policë të rinj - pamje nga ceremonia

Presidentja Vjosa Osmani ka përgëzuar policët e rinj, ndërsa ka thënë se është shumë krenare për secilin prej tyre, transmeton Telegrafi.

“Më lejoni të ju shpreh urimet e mija më të përzemërta secili prej jush, të diplomosh në akademinë e policisë nuk është një arritje e vogël, ajo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë të vendosur për të mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe shtetit të së drejtës. Ju keni dëshmuar që zotëroni cilësitë e nevojshme për të shërbyer si gardianë të shtetit”, është shprehur presidentja Osmani.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Polica e Kosovës vazhdon të jetë ndër institucionet më të besueshme të qytetarëve.

Ai tha se Policia e Kosovës për këto dy vite ka qenë e angazhuar maksimalisht, përfshirë edhe veriun, transmeton Telegrafi.

“Jemi zotuar për luftë të pa kompromis ndaj korrupsionit. Policia për këto dy vite ka qenë maksimalisht e angazhuar. Rreth 900 operacione në vendin tonë, mbi 3200 persona të arrestuar për vepra të ndryshme penale. Intensiteti i punës së policisë ka vijuar edhe në veri, që në të kaluarën ka qenë zonë e rahatisë për banda kriminale të udhëhequra nga Beogradi. Pikërisht për këto aktivitete, ka pasur sulme të njëpasnjëshme të policëve tanë, ku janë lëndua 25 policë”, tha ai. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori