Courtois ka reaguar ashpër për rastin e Viniciusit: Mourinho është Mourinho

Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si trajneri i Benficas, Jose Mourinho, e trajtoi incidentin e dyshuar për abuzim racor ndaj Vinicius Junior nga lojtari i Benficas, Gianluca Prestianni.
Mourinho ishte kritikuar për faktin se u fokusua më shumë te festimi i golit nga Vinicius sesa te vetë incidenti, duke lënë të kuptohet se sjellja e brazilianit mund të ketë ndikuar në reagimin e kundërshtarit.
Courtois theksoi se asnjë festim nuk mund të përdoret si justifikim për fyerje raciste apo homofobike.
Gardiani belg zbuloi se ishte vetë Vinicius ai që vendosi që ndeshja të vazhdonte pas incidentit.
"Ky është një moment i shkëlqyer për futbollin që t'i japë fund këtyre gjërave. Ne e dimë çfarë na ka thënë Vinicius... dhe është diçka që ka ndodhur shumë herë. Ne duhet ta ndalojmë. UEFA vendos...".
Sipas tij, është shqetësuese që një vendim i tillë t’i mbetet në dorë lojtarit të prekur, ndërsa përgjegjësia duhet të jetë e zyrtarëve dhe e UEFA.
Courtois kërkoi masa më të forta, duke theksuar se ndeshjet duhet të ndërpriten dhe personat përgjegjës në tribuna të largohen menjëherë, pasi racizmi dhe homofobia janë të papranueshme në futboll dhe në shoqëri.

"Sa i përket situatës në tribuna, kjo është bazë për të ndaluar ndeshjen dhe për të përjashtuar ata njerëz. Por sigurisht, nuk është normale që një lojtar të shohë se çfarë po ndodh në tribuna, kjo është përgjegjësi e gjyqtarit të ndeshjes. Dhe autoritetet duhet të thirren. Ne duhet të ndalojmë së qeni kaq budallenj si shoqëri".
Duke komentuar deklaratat e Mourinhos, i cili tha se Benfica nuk mund të jetë raciste për shkak të figurës së legjendës Eusebio, Courtois u shpreh se çdo trajner mbron klubin e tij, por zhvendosja e vëmendjes te festimi i Vinicius ishte zhgënjyese.
"Epo, Mourinho është Mourinho dhe si trajner, gjithmonë do ta mbrosh klubin tënd. Por më shqetëson që festimi i Vinicius po përdoret kundër tij. Ishte zhgënjyese. Sepse kur Real Madridi pranon gol, është dyfish ose trefish më shumë”.

Ai shtoi se edhe nëse Prestianni ka përdorur fyerje homofobike dhe jo racore, ato mbeten po aq serioze dhe të dënueshme.
Prestianni është pezulluar përkohësisht me një ndeshje nga UEFA, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ndërkohë, presidenti i Benficas, Rui Costa, ka mbrojtur lojtarin e tij dhe ka përmendur një incident tjetër me Fede Valverde, pretendim që është hedhur poshtë.
Courtois theksoi se skuadra e Real Madridit qëndron 100% në mbështetje të Vinicius, duke ia lënë çështjen në dorë institucioneve përkatëse. /Telegrafi/























































