Copëza të një granate dore janë gjetur në trupat e viktimave, pas rrëzimit të aeroplanit të Yevgeny Prigozhin - thotë Vladimir Putin

Copëza të një granate dore janë gjetur në trupat e viktimave të një aksidenti aeroplani që vrau ish-bosin e Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka thënë presidenti rus Vladimir Putin.
Aeroplani me të cilin Prigozhin po udhëtonte për në Shën Petersburg u rrëzua në veri të Moskës duke vrarë të 10 personat në bord më 23 gusht, duke përfshirë dy figura të tjera kryesore të Wagner, katër truprojat e Prigozhin dhe një ekuipazh prej tre personash.
Dhe siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Putin sugjeroi se aeroplani ishte hedhur në erë nga brenda, duke thënë se kreu i komitetit hetimor të Rusisë i kishte raportuar atij disa ditë më parë.
“Fragmente granatash dore u gjetën në trupat e të vrarëve në aksident”, citohet të ketë thënë Putin në një takim në vendpushimin Soçit, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
"Nuk kishte asnjë ndikim nga jashtë në aeroplan - ky është tashmë një fakt i vërtetuar", ka theksuar Putin, duke i hedhur poshtë pohimet se ai ishte rrëzuar.
Ai nuk dha asnjë detaj se si mund të ketë shpërthyer një granatë - por ai tha se hetuesit duhet të kishin testuar trupat për alkool dhe drogë, duke qenë se kokaina ishte gjetur më parë në zyrat e Wagner.
Ndryshe, Prigozhin thuhet se ishte në një aeroplan i cili pati një aksident në veri të Moskës më 23 gusht, dy muaj pas ditës pasi ai drejtoi një rebelim të dështuar kundër zyrtarëve të lartë rusë.
Rebelimi i ndërprerë, gjatë të cilit ai kërkoi rrëzimin e ministrit të mbrojtjes Sergei Shoigu, ishte sfida më e madhe për qeverisjen e presidentit Putin që kur ai erdhi në pushtet në vitin 1999.
Rusia tha se konfirmoi vdekjen e tij në aksident pas testeve gjenetike, por nuk zbuloi shkakun.
Ai u varros privatisht në një "ceremoni lamtumire" në një varrezë të Shën Petersburgut muajin e kaluar, sipas ekipit të tij të shtypit. /Telegrafi/






















































