Coman u largua, Bayerni gjen zëvendësuesin e francezit në Angli

Kingsley Coman do të largohet nga Bayern Munich pas plot 10 vitesh me klubin. 29-vjeçari do të udhëtojë sot drejt Hong Kongut për të kryer vizitat mjekësore dhe për të finalizuar transferimin te Al Nassr, ku do të bashkohet me Cristiano Ronaldon.
Anësori francez pritet të përfitojë një pagë neto vjetore deri në 25 milionë euro, ndërsa Bayern do të arkëtojë pak më pak se 30 milionë euro nga shitja e tij.
Me largimin e Coman që tashmë është vetëm çështje formalitetesh, kampionët gjermanë tkanë nisur kërkimin për një zëvendësues. Sipas The Times, një nga objektivat kryesorë është bashkëkombësi i Coman, Christopher Nkunku i Chelsea.
Interesi i Bayern për 27-vjeçarin është dokumentuar prej muajsh, dhe shitja e Coman mund t’i japë një shtysë të re kësaj lëvizjeje.
Nkunku, ndryshe nga Coman që preferon krahun e majtë, zakonisht luan në qendër të sulmit, por fleksibiliteti i tij taktik shihet si një avantazh nga bavarezët.
Ndërkohë, RB Leipzig ishte përfolur si destinacion i mundshëm për rikthimin e Nkunku, madje edhe në një marrëveshje shkëmbimi për Xavi Simons. Por The Times raporton se kjo nuk është një opsion, pasi Leipzig nuk do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare këtë sezon.
Chelsea është i gatshëm ta shesë sulmuesin e gjithanshëm këtë verë dhe kërkon një shumë mes 35 dhe 40 milionë euro. Pjesa më e madhe e kësaj shume mund të sigurohet nga Bayern përmes të ardhurave të transferimit të Coman.
Tani mbetet që dy klubet të gjejnë një marrëveshje dhe Nkunku do të rikthehet në Bundesliga. /Telegrafi/





















































