LAJMI I FUNDIT:

Çmimet e importit shënojnë ngritje

Çmimet e importit shënojnë ngritje

Çmimet e importit në Kosovë shënuan ngritje prej 0.8 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa ngritja më e madhe ishte te produktet bimore 6.7 për qind, metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë 3.7 për qind.

Në raportin më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) thuhet se ngritje gjatë këtij tremujori ka pasur edhe te


këpucët 2.2 për qind, tekstili dhe artikujt e tij 2.0 për qind, shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve 1.3 për qind, produktet minerale 1.1 për qind, letrat dhe artikujt e saj 0.9 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre 0.6 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani 0.5 për qind dhe artikujt e gurit, llaçit, produktet e keramikës dhe qelqit 0.5 për qind.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te lëkura dhe artikujt e saj -7.3 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar -2.8 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike -1.6 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës -1.5 për qind, vajrat ushqyese -1.3 për qind, produktet e industrive kimike -0.2 për qind, druri dhe artikujt e drurit -0.1 për qind dhe mjetet e transportit -0.1 për qind.

Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, çmimet e importit në Kosovë u ngritën mesatarisht 3.9 për qind, ku ngritja më e madhe u shënua te produktet bimore me 18.6 për qind.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te lëkura dhe artikujt e saj -3.5 për qind, letra dhe artikujt e saj -3.3 për qind, këpucët -2.9 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar -2.3 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike -2.2 për qind, produktet e industrive kimike -0.9 për qind dhe mjetet e transportit -0.7 për qind. /Telegrafi/